Hidhet shorti i Ligës së Kombeve, Shqipëria njeh kundërshtarët - FSHF

Hidhet shorti i Ligës së Kombeve, Shqipëria njeh kundërshtarët

Është hedhur sonte në mbrëmje, shorti i edicionit të dytë të kompeticionit UEFA Nations League. Pas hedhjes së shortit në Amsterdam, përfaqësuesja jonë ka njohur edhe skuadrat që do të përballet: Bjellorusia, Kazakistani dhe Lituania do të jenë skuadrat e grupit nr.4 të Ligës C, ku bëjmë pjesë.

Ndeshjet e këtij kompeticioni, do të fillojnë në datën 3 shtator dhe do të luhen në 3 orare zyrtare: 15:00, 18:00 dhe 20:45. Kalendari i datave të ndeshjeve është në këtë format:
Ndeshjet e para: 3-5 shtator 2020
Ndeshjet e dyta: 6-8 shtator 2020
Ndeshjet e treta: 8-10 tetor 2020
Ndeshjet e katërta: 11-13 tetor 2020
Ndeshjet e pesta: 12-14 nëntor 2020
Ndeshjet e gjashta: 15-17 nëntor 2020

Të pranishëm në këtë short ishin Presidenti Duka i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku.

Pas hedhjes së shortit, Presidenti Duka u shpreh: “Shorti është short, nuk ishte i keq, por programi është i ngjeshur, luhet çdo tri ditë, dhe kemi transferta të largëta. Objektivi është të dalim të parët dhe të ngjitemi në Ligën B. Skuadrat më të lehta? Ku ka skuadra të lehta, duhet të përgatitesh mirë. Ne e konsideruam të lehtë me Andorrën, por barazuam në fund të eliminatoreve. Nuk dëshiroja të përplaseshim me Kosovën, e kisha thënë edhe para shortit. Shqiptarët më mirë të ndiejnë dy herë emocione sesa të përplasen me njëri-tjetrin. E kemi deklaruar që kemi firmosur kontratën me trajnerin dhe stafin e tij. Është i njëjti staf që ka përfunduar eliminatoret.”