HatTrick bën 15 vjet, Duka takime në Bjellorusi - FSHF

HatTrick bën 15 vjet, Duka takime në Bjellorusi

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në cilësinë e Zëvëndës Kryetarit të Komitetit HatTrick, është duke marrë pjesë në takimin dy ditor që po zhvillohet në Minsk, takim që korrespondon dhe me 15 vjetorin e këtij programi të krijuar nga UEFA në vitin 2004.

Në 15 vite të programit HatTrick, UEFA ka financuar më shumë se 1300 projekte me një vlerë prej 1.8 miliardë eurosh, duke e kthyer HatTrick në programin më të madh për zhvillimin e futbollit dhe solidaritetin. Nga programi HatTrick IV është financuar edhe projekti për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar në Tiranë, që do të përurohet në muajin nëntor në ndeshjen me Francën. Në këtë takim dy ditor u diskua mbi projektet e realizuara nga HatTrick 1 deri te HatTrick IV që përfundon në vitin 2020 si dhe u lancua HatTrick V që fillon në vitin 2020 dhe do të financohet me një buxhet prej 800 milionë eurosh për 55 Federatat anëtare të cilat mund të aplikojnë me projektet e tyre. Pikë tjetër e diskutuar në këtë mbledhje të rradhës të Komitetit HatTrick ishte dhe bashkëpunimi me FIFA për programin FIFA Forward, program që gjithashtu investon për të ardhmen e futbollit në të gjithë botën. Fondet dhe financimet e Bashkimit Europian ishin një tjetër pikë e axhendës së Komitetit, ku u diskutua mbi rritjen e kapaciteteve për thithjen e këtyre fondeve.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin bjellorus, Drejtuesit dhe anëtarët e Komitetit HatTrick vizituan dhe Qendrën Stërvitore të Federatës Bjelloruse të Futbollit.