Futsall/ Shqipëria mbyll përgatitjet për eliminatoret e Botërorit Lituani 2020 - FSHF

Futsall/ Shqipëria mbyll përgatitjet për eliminatoret e Botërorit Lituani 2020

Shqipëria e futsallit është duke kryer një mini-fazë përgatitore në Prishtinë në prag të ndeshjeve eliminatore për kualifikimin në Kampionatin Botëror Lituani 2020.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Erind Resuli janë duke u përgatitur intensivisht me nga dy seanca stërvitore në ditë. 20 lojtarët e grumbulluar për këto eliminatore që do të zhvillohen në Maqedoni nga data 31 Janar deri më 3 Shkurt, gëzojnë një formë të mirë sportive dhe janë gati për ndeshjet që do të zhvillojnë në Shkup. “Besoj se këtë edicion kemi një nga grupet më të mira, unë kam 10 vite që luaj me Kombëtaren dhe shikoj një skuadër të mirë. Ndeshja e parë është edhe ndeshja më e rëndësishme. Shorti na ka ndihmuar disi sepse në ndeshjen e parë luajmë me ekipin më të thjeshtë, San Marinon. Duhet trepikëshi me çdo kusht, dhe me këto tre pikë që është gjysma e punës mund të shpresojmë te kualifikimi sepse me 6 pikë kalojmë, duke qënë se kualifikohen dy skuadrat e para. Më pas kundra Greqisë dhe Maqedonisë do të japim të gjitha energjitë për të kaluar si vendi i parë. Jemi të gjithë lojtarë që luajmë jashtë, luajmë në ekipe profesioniste dhe i shikoj të përgatitur mirë fizikisht e taktikisht. Me disa lojtarë kemi filluar bashkë 3-4 vite përpara dhe më duken shumë të pjekur. Shpresoj që të paraqitemi mirë. Më vjen keq për mungesën e Azemit, sepse për ne ka qënë një lojtar historik dhe ndihet”, u shpreh kapiteni Roald Halimi.

I kënaqur me gjëndjen e skuadrës dhe përgatitjet që janë kryer është shfaqur edhe trajneri Resuli, që vlerëson shumë impenjimin e lojtarëve në stërvitje dhe pret nga ta maksimumin në ndeshjet që startojnë nesër. “Faza përgatitore ka filluar më datë 23 janar, kushtet kanë qënë të mira përtej temperaturave të ulta. Lojtarët janë në formën e tyre optimale sportive, jemi munduar ti sjellim në gjëndjen e duhur si nga ana fizike ashtu edhe nga ajo taktike. Këtë grumbullim kam marrë lojtarë të rinj që të na shërbejnë për të ardhmen. Këto janë eliminatoret për Kampionatin Botëror dhe përveç rëndësisë janë dhe ndeshje shumë të forta. Ne do të japim maksimumin dhe forca e grupit është kryesorja. Kundërshtarët janë të fortë, Maqedonia është shumë e fortë, Greqia është në nivelin tonë. Ne do të japim maksimumin dhe mendojmë se do të kualifikohemi. Ky është sport i çuditshëm që merr rrjedhë të ndryshme shumë shpejt me sekonda e minuta, sport shumë ekspresiv. Për këtë arsye po i sjellim lojtarët në gjëndjen optimale nga ana taktike dhe teknike. Forca e grupit, ana taktike dhe forca fizike do na sjellin kualifikimin”, theksoi në fjalën e tij trajneri Kombëtares së futsallit, Erind Resuli.

Më poshtë kalendari i ndeshjeve:
31.01.2019
Shqipëri – San Marino 17:30
Maqedoni – Greqi 20:00
01.02.2019
Greqi –Shqipëri 17:30
Maqedoni – San Marino 20:00
03.02.2019
San Marino – Greqi 17:30
Maqedoni – Shqipëri 20:00