Futsall/ Shqipëria luan ndeshjen e dytë miqësore me Rumaninë - FSHF

Futsall/ Shqipëria luan ndeshjen e dytë miqësore me Rumaninë

Kombëtarja shqiptare e Futsallit zhvilloi pasditen e sotme edhe miqësoren e dytë ndaj Rumanisë në “Concordia Sports Hall”. Kuqezinjtë u mundën me rezultatin 3-2, teksa Halim Selmanaj shënoi dy gola për Shqipërinë.

Trajneri Erind Resuli e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Rumanisë: Valdrin Mjeku (GK), Roald Halimi (C), Halim Selmanaj, Arbër Shkodra, Darrier Soares Melo.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1. Fillimisht ishin rumunët ata që gjetën rrugën e rrjetës, megjithatë skuadra jonë reagoi shpejt. Kuqezinjtë barazuan rezultatin me Halim Selmanaj.

Fraksioni i dytë nisi më mirë për Rumaninë që mori avantazhin. Megjithatë Shqipëria nuk u dorëzua dhe gjeti sërish rrugën e rrjetës me Halim Semanaj, i treti gol për të në dy ndeshjet miqësore me Rumaninë. Të zotët e shtëpisë realizuan sërish dhe në fund triumfuan 3-2.

Kjo ishte edhe miqësorja e dytë me Rumaninë, ndërsa tani kuqezinjtë do të presin shortin që do të hidhet në fundin e muajit maj, aty ku Shqipëria do të njohë kundërshtarët për kualifikueset e Kampionatit Europian të Futsallës.