U luajtën këtë të dielë ndeshjet e dyta të UEFA Futsal Champions League të vlefshme për fazën kualifikuese të Grupit C, që po zhvillohen në sallën e Parkut Olimpik të Tiranës në kryeqytetin shqiptar.
Në ora 17:00 është zhvilluar ndeshja Differdange – Haladas, që përfundoi me fitoren e hungarezëve me rezultatin e ngushtë 3-4 pas një dueli mjaft të ekuilibruar. Pas kësaj fitoreje Haladas ngjitet në vendin e parë të grupit me 6 pikë.
Në sfidën tjetër të ditës së dytë që nisi në 20:30, Tirana u mund nga Utleira me rezultatin 4-2. Pavarësisht se bënë një paraqitje të mirë, bardheblutë ishin të pafata dhe nuk mundën të siguronin fitoren e dytë, që mund t’u jepte më shumë mundësi për të arritur vendin e parë.
Dy sfidat e fundit të Grupit C luhen më 24 gusht 2021. E para që nis në ora 17:00 është Utleira (NOR) – Differdange (LUX), kurse në 20:30 starton sfida Tirana (ALB) – Haladas (HUN).
Në ndeshjet e ditës së parë Haladas mundi Utleiran 5-1, ndërsa Tirana mposhti luksemburgasit e Differdange me shifrat 4-2.


















