Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta Mikel Janku - FSHF

Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta Mikel Janku

Sot, pas një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare ish-portieri i Kombëtares dhe i Partizanit, një prej figurave më të mëdha të futbollit shqiptar, Mikel Janku. Ai ka qënë një ndër figurat më të spikatura të futbollit shqiptar në vitet 60-të. Pas largimit nga futbolli i luajtur, Janku ka qënë drejtues i klubit Partizani. Nga viti 1992 është përkushtuar në rolin e opinionistit në shumë emisione sportive dhe ka punuar për një periudhë të gjatë kohe si gazetar pranë gazetës Sport Ekspres. Mikel Janku është nderuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me titullin “Nderi i Futbollit Shqiptar”.

“Të dashur miq të familjes së futbollit, me hidhërim të thellë, dëshiroj të ndaj me ju lajmin e trishtë se Mikel Janku, ish-portieri i madh i Kombëtares dhe Partizanit, drejtues klubi, mik dhe dashamirës i madh i futbollit, është ndarë nga jeta përgjithmonë. Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, familjen e tij, miqtë dhe të dashurit, besoj dhe shpresoj që kjo humbje e pakthyeshme të lërë brenda nesh kujtimin më të mirë për Mikel Jankun. Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit gjej rastin t’i shpreh familjes dhe miqve të tij ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut më të dashur”, ka deklaruar Presidenti i FSHF-së Armand Duka, sapo është njohur me lajmin e dhimbshëm.

Homazhet do të zhvillohen nga ora 10:00-11:00 në ambientet e ish-Hotel Internacional.