Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta Fatmir Frashëri - FSHF

Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta Fatmir Frashëri

Futbolli shqiptar sot ka humbur një nga figurat më të mëdha. Pas një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare ish-futbollisti i shkëlqyer i Tiranës dhe Kombëtares, “Mjeshtri i Madh”, Fatmir Frashëri.

Fatmir Frashëri ka lënë shenjë në futbollin shqiptar nga fundit viteve 50-të deri në fillimin e viteve 70-të, si një mbrojtës i shkëlqyer, me një qetësi të admirueshme dhe personalitet të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë fushave të blerta, duke u cilësuar nga të gjithë si një ndër më të shkëlqyerit e brezit të tij. Frashëri ka kontribuar në futbollin shqiptar për shumë vite edhe në pozicionin e trajnerit për shumë vite si edhe ish-President i Klubit të Futbollit Tirana.

“Të dashur miq,
Me shumë hidhërim , po ndaj me ju një lajm shumë të hidhur. Një emër i madh i botës së futbollit, mbrojtësi i Kombëtares dhe Tiranës, ish-Presidenti Klubit Tirana, Fatmir Frashëri, është ndarë nga jeta sot. Ky është një moment i vështirë për të gjithë ne, familjen e Fatmirit, miqtë dhe të dashurit. Unë personalisht sot kam humbur mikun tim Fatmirin, por dhe mikun shumë të mirë të babait tim. Legjenda ka ndërruar jetë por vepra e tij është skalitur në kujtesën e të gjithëve ne, gjithmonë do ta kujtojmë si një nga të urtët e shoqërisë shqiptare.
Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, të komunitetit të këtij sporti që është më i rëndësishmi në Shqipëri, i shpreh familjes, miqve dhe të afërmve ngushëllimet për humbjen e njeriut të dashur dhe shokut të mirë. Lamtumirë i dashur Fatmir! Lamtumirë mik i shtrenjtë!”, ka deklaruar Presidenti i FSHF-së , Armand Duka, sapo ka mësuar lajmin e dhimbshëm.

Homazhet do të zhvillohen nesër, e shtunë, nga ora 12:30-14:00, në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”. Varrimi do të zhvillohet në Sharrë.