Futbolli në zi, ndahet nga jeta ish-trajneri i kombëtares Shyqyri Rreli - FSHF

Futbolli në zi, ndahet nga jeta ish-trajneri i kombëtares Shyqyri Rreli

Sot, në moshën 89-vjeçare është ndarë nga jeta, një nga figurat më të mëdha të futbollit shqiptar, Profesor Asoc. Dr. Shyqyri Rreli, ish-futbollist i Erzenit, Tiranës, Dinamos dhe skuadrës kombëtare. Një nga figurat më të shquara në futbollin dhe sportin shqiptar.

Shyqyri Rreli ka lënë shenja në historinë e futbollit shqiptar, në moshën 18-vjeçare aktivizohet me Erzenin e Shijakut, ku pas një viti kalon tek Tirana 1949-1951 dhe më pas për një dekadë me ekipin e Dinamos. Gjatë viteve te Dinamo, Profesor Shyqi, siç e njohin të gjithë fitoi 4 kampionate dhe 3 kupa të Shqipërisë.

Profesor Shyqi spikati edhe si trajner. Në drejtimin e tij skuadra kombëtare arriti suksese dhe fitore gjatë drejtimit ne vitet ’80. Fitoren 2-0 e 1984 ndaj Belgjikës me gola të Josës dhe Mingës . Barazimi 2-2 me Poloninë e Boniekut më 31 tetor 1984 etj. Pa harruar dy titujt kampion i Ballkanit me skuadrën U-21 në Tiranë më 1978 dhe në Vollos të Greqisë 1981.

“Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Trajner Kombëtar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, Shyqyri Rreli i fitoi të gjitha në jetën e tij profesionale, por mbi të gjitha respektin e të gjithë komunitetit dhe qytetarëve që e njihnin, si një njeri të qeshur dhe shumë fisnik.

“ Të dashur miq të familjes sonë të madhe të futbollit, në këtë mëngjes të fundit të vitit 2019, po ndaj me ju lajmin e trishtë se ish-trajneri i Kombëtares, Shkëndijës dhe Tiranës, Profesor Shyqyri Rreli, është ndarë nga jeta. Profesor Rreli do të ngelet përherë në memorien time si një nga trajnerët më të sukseshëm shqiptar. Një figurë e madhe e Tiranës dhe Shqipërisë që me urtësinë, qetësinë dhe komunikimin e shkëlqyer fitoi zemrat e të gjithë lojtarëve dhe sportdashësve shqiptar. E gjithë jeta e tij ishte në shërbim të progresit të futbollit shqiptar, duke qëndruar gjithmonë larg sherreve dhe debateve të kota. Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara. Prehu në paqe Profesor!”, ka deklaruar Presidenti i FSHF-së Armand Duka, sapo ka mësuar lajmin e dhimbshëm.

Homazhet në nder të Profesor Asoc. Dr. Shyqyri Rrelit, do të zhvillohen sot tek “Air Albania Stadium”, ora 12:00-14:00.