Futbolli në shkolla, FSHF licenson mësuesit e Edukimit Fizik

Futbolli në shkolla është një projekt shumë i ambicioz i Federatës Shqiptare të Futbollit, që synon të rrisë dhe zhvillojë sportin e futbollit në të gjithë shkollat 9 vjeçare të Shqipërisë. Ky projekt ka një natyrë sociale dhe është financuar nga UEFA e FSHF. Nëpërmjet këtij projekti, ashtu siç ka ndodhur edhe në vënde të tjera të Europës Perëndimore ku është implementuar më parë, synohet forcimi i vlerave shoqërore nëpërmjet lojës magjike të futbollit.

Përfituesit e këtij projekti janë fëmijët e moshave nga 7 deri në 9 vjeç të cilët luajnë futboll brenda orëve të fiskulturës në shkolla pa pasur asnjë kosto për shkollën dhe prindërit, sepse gjithçka mbulohet nga FSHF. Përfituesit e dytë të këtij projekti janë mësuesit e Edukimit Fizik, të cilët për të zhvilluar orët e futbollit në shkolla kualifikohen dhe licensohen me licensën D, licensë e cila është sugjeruar dhe aprovuar nga UEFA. Mësuesit i nënshtrohen një kualifikimi disa ditor nga Sektori Edukimit pranë Federatës, me orë teorike dhe praktike, duke arritur të marrin njohuritë e duhura për të drejtuar një orë stërvitore futbolli.

Ky proces për këtë vit ka filluar me mësuesit e Qarkut Fier, po vazhdon në Shkollat e Qarkut Elbasan e  Shkodër, dhe në javët në vazhdim  do të vijojë më mësuesit e Qarkut Tiranë, Durrës dhe Korçë.