Elbasani ishte stacioni i radhës i ndalesës për FSHF, gjithmonë në fokusin e futbollit për fëmijët. Së bashku me koordinimin e zyrës Rajonale të Elbasanit, FSHF ishte sot prezent në shkollën 9-vjeçare “Sule Harri” dhe “Qamil Guranjaku” në Elbasan. Fëmijë pa fund në këtë event promovues të radhës ku spikati edhe një pjesëmarrje e madhe e vajzave të cilat luajtën fillimisht mes tyre në një ndeshje të planifikuar. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, përpara qindra fëmijëve të kësaj shkolle përcolli tek ta të gjithë rëndësinë dhe prioritetin e FSHF-së për futbollin e moshave, si një angazhim që lidhet edhe me projekte konkrete: “Jam i lumtur sot që gjendem në këtë ambjent te mbushur me fëmijë dhe po kaq i lumtur që shoh vajza që merren dhe ndjekin këtë lojë magjike si futbolli. Angazhimet e FSHF janë primare në lidhje me ju, me futbollin e fëmijëve në të gjithë vendin. Ju duhet të jeni afër futbollit, por kurrsesi të harroni mësimet, por koha e lirë me futbollin është diçka shumë e rëndësishme, por edhe një shtysë më shumë drejt pasionit tuaj. Këtu do të vijmë sërish, sikundër edhe në çdo vend tjetër të Shqipërisë me fëmijë, teksa dy projekte konkrete janë në fillim e sipër specifikisht për ju”,- theksoi Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku përpara fëmijëve që ishin prezentë sot në fushën e jashtme të shkollës 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” ne Elbasan. Më pas për të gjithë fëmijët që do të luanin të ndarë në disa bateri, një pako më vete me suvenirë dhe fanellën përkatëse. Fillimisht luajtën vajzat dhe më pas në fushë zbritën e djemtë e klasave të 5-ta dhe të 6-ta. FSHF do të vazhdojë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë të jetë prezente afër fëmijëve dhe gjithmonë pranë tyre, në një kohë që janari përkon me startin e projektit “Grow”, një projekt ambicioz për futbollin në shkolla.

















