Pas prezencës në një sër shkollash në Tiranë, këtë radhë eventet për futbollin e fëmijëve nga FSHF kanë vijuar përtej kryeqytetit, duke zbritur në qytetin bregdetar të Durrësit. Fëmijë, djem dhe vajza të klasave të 5-ta dhe të 6-ta luajtën së bashku në ndjekje të pasionit të tyre, futbollit. Një prioritet më vete i FSHF-së për futbollin e fëmijëve dhe në vigjilje të projektit “Grow” që shumë shpejt do të jetë në shkollat 9-vjeçare, në orët e edukimit fizik. Zyra Rajonale e Durrësit nën koordinimin e zyrës qëndrore në Tiranë dhe kurimit të Departamentit të PR e vijuan sot me një shkollë në Durrës takimin promovues e zbavitës për fëmijët, ku u vu re edhe prania e futbollisteve të vogla femra, të cilat në këtë qytet kanë formuar për këtë moshë edhe ekipin përkatës të femrave në futboll. “Luajmë futboll, dhe në orët e lira që kemi gjatë ditës, ku pas mësimeve shfrytëzojmë kohën duke luajtur me njeri-tjetrin, apo edhe me ekipe të ndryshme. E kemi shumë pasion dhe kërkojmë gjithmonë të luajmë”,- shprehen fëmijët, të cilët edhe pse të vegjël nuk hezitojnë në asnjë moment të gjejnë kohën për futbollin. Pasioni i fëmijëve shprehet qartë në dëshirën e tyre sa zbresin në fushë, dhe pikërisht këtë pasion FSHF ka nisur ta mbështesë dhe do të jetë promotore e çuarjes deri në fund të projekteve që ka Federata në drejtim të futbollit të fëmijëve. Pas Durrësit, stacioni i radhës do të jetë Elbasani ditën e premte me një tjetër manifestim sportive me futbollin dhe prezencën e fëmijëve aty.

















