Futbolli i fëmijëve vijon të jetë prezent dhe shumë aktiv në shkollat e kryeqytetit, dhe jo vetëm. Zyra përkatëse rajonale e Tiranës, nën koordinimin e Zyrës qëndrore në FSHF kanë organizuar së fundmi edhe një aktivitet në fushën sportive të shkollës “Harry Fultz”, një fushë e cila është ndërtuar me kontributin dhe mbështetjen financiare të FSHF-së. Një garë më vete në këtë shkollë edhe në ditët e festave të fund-nëntorit, vetëm për moshat U-13. Në këtë event sportiv morën pjesë 7 ekipe të cilat u ndeshën midis tyre gjatë tre ditëve. Çdo skuadër zhvilloi 6 ndeshje në sistemin e lojës me 15 minuta. Në këtë aktivitet, rezultati doli në plan të dytë, pasi aktivizimi dhe zbavitja e fëmijëve të kësaj moshe ishte qellimi kryesor. Shumë prindër, familjarë dhe shokë të futbollistëve të vegjël ishin prezentë gjatë këtyre ndeshjeve, ku koha për futboll ishte vetëm e tyre. Po të njëjtin aktivitet Zyra rajonale Tirane e zhvilloi edhe me fëmijët e moshës U-9 dhe U-11, në kompleksin “Ali Demi”.
Po kështu, në palestrën e fushës “Niket Dardani” nxënës të klasave të 4-ta dhe të 5-ta për meshkuj dhe për femrat luajtën mes tyre gjatë këtyre ditëve. Në këtë aktivitet morën pjesë shkollat: “Niket Dardani”, “Kongresi i Lushnjes”, si dhe shkolla “Xhezmi Delli”. Aktiviteti u zhvillua ne palestrën e shkolles Niket Dardani. Zyra e Futbollit Amator në FSHF do të vijojë edhe në vijim një fluks tjetër aktivitetesh me fëmijët në shkolla, por edhe me futbollin e femrave, gjithmonë në implementim të prioritetit absolut të FSHF-së, futbollit të fëmijëve.


















