FSHF uron të gjithë mësuesit e Shqipërisë gëzuar festën e 7 marsit! - FSHF

FSHF uron të gjithë mësuesit e Shqipërisë gëzuar festën e 7 marsit!

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të urojë në këtë ditë të veçantë të gjithë arsimtarët shqiptarë: Gëzuar Festën e 7 Marsit! Një pjesë e mirë e tyre i kanë kushtuar e vazhdojnë t’i kushtojnë jo vetëm punën, por edhe jetën e tyre sportit, e veçanërisht futbollit.

Mësuesit e lëndës së Edukimit Fizik në shkollat 9-vjeçare shërbejnë edhe si trajnerë futbolli për fëmijët e vegjël, ku mbështetja e FSHF-së nuk mungon kurrsesi.

Federata e Futbollit i ka pajisur jo vetëm me bazë materiale mësuesit e Edukimit Fizik, por edhe me licencën, UEFA C, që do të thotë janë të aftë të japin mësimet fillestare dhe t’i bëjnë atraktive për fëmijët.

Përveç tyre, për mësuesit e edukimit fizik që ndërtojnë ekipe apo edukojnë brezat e rinj për futboll, FSHF-ja i mbështet, si një falënderim dhe shtysë për të vazhduar në këtë rrugë të ndritur, për të prodhuar sa më shumë futbollistë shqiptarë për të ardhmen.

E ardhmja janë fëmijët e Federata Shqiptare e Futbollit është koshiente që sporti, e veçanërisht futbolli është një nga format më të mira për ta e të rinjtë, për të qenë jo vetëm më të shëndetshëm por edhe më socialë në shoqëri.

Kjo është arsyeja se pse FSHF bashkëpunon ngushtë me të gjithë mësuesit e Shqipërisë e do të vazhdojë të jetë krah tyre e në mbështetje të tyre! Ata janë zëri ynë te brezat e rinj të vendit tonë!

Faleminderit arsimtarë!

Jetëgjatësi në udhën tuaj fisnike e të ndritshme për fëmijët tanë!