FSHF takon drejtuesit e Akademive, gara rifillon në 14 qershor - FSHF

FSHF takon drejtuesit e Akademive, gara rifillon në 14 qershor

Federata Shqiptare e Futbollit ka zhvilluar ditën e sotme një takim me drejtuesit e akademive dhe klubeve për kampionatin e moshave ku u diskutua mbi rifillimin e kampionateve kombëtarë U-15, U-17 dhe U-19, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Parë.

Ky takim u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, i cili prezantoi për drejtuesit e akademive dy projekt-kalendarët e hartuar nga Sektori i Garave dhe i informoi mbi përgjegjësitë e detyrat që kanë për zbatimin e protokollit mjekësor të hartuar nga FSHF. Shefi i Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi, në projekt-kalendarin e parë kishte parashikuar zhvillimin normal të kampionatit me 11 javë dhe fazën play-off, ndërsa në projekt-kalendarin e dytë parashikohej zhvillimi i dy ndeshjeve të mbetura nga faza e dytë dhe play-off. Pas diskutimeve klubet vendosën për projektin e dytë. Në takim mori pjesë dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv Abdyl Kuriu, i cili theksoi rëndësinë e rifillimit të futbollit të moshave, për të mos rrezikuar dëmtimin e karrierës së lojtarëve nga pauzat e gjata.

Kampionatet Kombëtare për U-15, U-17 dhe U-19 do të fillojnë në datë 14 Qershor 2020.