FSHF Sunday League/ Garë e fortë në Tiranë, mbyllet java e 15-të - FSHF

FSHF Sunday League/ Garë e fortë në Tiranë, mbyllet java e 15-të

Edhe 2 javë kanë mbetur nga përfundimi i kampionatit të futbollit amator “FSHF Sunday League”, që organizohet nga FSHF dhe ka korrur mjaft sukses përgjatë këtij sezoni.

Pas përfundimit të kampionatit në Tiranë, që zhvillohet i ndarë në dy grupe, do të nisë edhe faza play-off, ku 8 skuadra të grupit A dhe 8 skuadra të grupit B do të përballen me njëra-tjetrën, për të përcaktuar edhe kampionin e këtij edicioni.

Sakaq, skuadrat që gjenden në vendet 9-12 të klasifikimit te grupi A do të përballen me vendet 9-12 të grupit B për Kupën “Oktapus”. Ndërsa, skuadrat e renditura në vendet 13-16 të grupit A do të luajnë ndaj ekipeve të vendeve 13-16 të grupit B, për të fituar Kupën “Digi Print”, teksa skuadrat e vendeve 17-18 në të dyja grupet do të luajnë për të fituar një kupë simbolike.

Gara vijon të jetë e fortë dhe mjaft e luftuar, teksa java ka prodhuar rezultate dhe ndeshje mjaft të forta. Pas 15 javësh, Nova pësoi humbjen e parë në kampionat në grupin A, pasi u mund nga Digi Print me shifrat e ngushta 2-1.

Pavarësisht këtij rezultati, Nova vijon të jetë në krye të renditjes me 37 pikë, teksa në vendin e dytë me 33 pikë gjendet Roamel, që fitoi thellë ndaj Carter me shifrat 6-0. Edhe, Primo MFC e Al Ar triumfuan në ndeshjet respektive këtë javë, duke marrë nga një tre pikësh mjaft me vlerë që i mban në vendin e tretë dhe të katërt në grup.

Ndërkaq, krejt ndryshe është situata në grupin B, ku kampioni i grupit ende mbetet i papërcaktuar, për shkak të ecurisë së kampionatit, që është ende i hapur. Dajti dhe Prestige MFC janë në krye të tabelës së klasifikimit pas 15 javësh, teksa këtë të premte dy skuadrat do të përballen me njëra-tjetrën. Dy skuadrat ndajnë të njëjtën kuotë pikësh, secila nga 32, ndërsa në vendin e tretë renditet ATS me 3 pikë më pak.