FSHF seminar me arbitrat për rifillimin e garës - FSHF

FSHF seminar me arbitrat për rifillimin e garës

Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit zhvilloi ditën e sotme një seminar informues me arbitrat e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë, ku u fol mbi protokollin mjekësor që ka përgatitur FSHF për zhvillimin e ndeshjeve pas përhapjes së Covid-19. Ky takim informues vijon pas një serie takimesh që Federata e Futbollit ka organizuar me të gjithë aktorët e futbollit shqiptar, si drejtuesit e klubeve, drejtuesit e akademive, delegatë dhe së fundmi me arbitrat.

Te pranishëm në këtë mbledhje ishin Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Tahir Kastrati, shefi i Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci dhe shefi i Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi.

Shefi i Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci dhe Presidenti i Arbitrave, Tahir Kastrati falenderuan arbitrat e pranishëm dhe kërkuan zbatimin me përpikmëri të protokollit dhe të jenë në maksimumin e performancës së tyre.

Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, në fjalën e tij informoi arbitrat mbi takimet e zhvilluara me të gjithë drejtuesit e klubeve dhe detyrat që ata kanë për zbatimin e protokollit mjekësor që është përgatitur nga FSHF e është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Shulku kërkoi nga arbitrat që të tregojnë kujdes maksimal dhe theksoi se toleranca është zero në lidhje me zbatimin e protokollit mjekësor. Arbitrat duhet të kenë një përgatitje të lartë fizike dhe ritëm të lartë në performancën e tyre.

Drejtuesi i garave në FSHF, Lysien Nurishmi, bëri një prezantim të detajuar të detyrave dhe përgjegjësive që lindin për delegatët në organizimin e një ndeshjeve në kohë pandemie. Zbatimi dhe kushtet e protokollit mjekësor janë të njëjta për të gjithë, nga futbolli i fëmijëve deri te Kategoria Superiore.