FSHF pezullon të gjithë aktivitetet futbollistike në Shqipëri. Të martën UEFA vendos për ecurinë e aktiviteteve ndërkombëtare futbollistike europiane

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit ka ndjekur nga afër dhe me prioritet ecurinë e situatës në vendin tonë pas rasteve të shfaqura me COVID-19.

Nisur nga përshkallëzimi i kësaj situate dhe duke ndjerë përgjegjësi maksimale për të gjithë personat e përfshirë në jetën futbollistike në vend si dhe pas propozimit te Komitetit të Emergjencave në FSHF, Komiteti Ekzekutiv vendosi pezullimin e të gjitha aktiviteteve futbollistike.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë deri në një komunikim tjetër të Federatës së Futbollit.

Lidhur me të gjitha aktivitetet ndërkombëtare futbollistike, ditën e martë në orën 13:00 UEFA do të organizojë një video-konferencë me të 55 federatat anëtare për të marrë vendimin lidhur me ecurinë e të gjitha aktiviteteve futbollistike europiane për klube e ekipe kombëtare. Urojmë që të rikthehemi sa me shpejtë me lojën tonë të dashur.