FSHF organizon workshop me temë “Anti-racizmi, Barazia dhe Përfshirja në kontekstin e Inteligjencës Emocionale në futboll" - FSHF

FSHF organizon workshop me temë “Anti-racizmi, Barazia dhe Përfshirja në kontekstin e Inteligjencës Emocionale në futboll”

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi ditën e sotme workshop-in me temë “Anti-racizmi,Barazia dhe Përfshirja në kontekstin e Inteligjencës Emocionale ne futboll”. Në këtë workshop, që u zhvillua në stadiumin “Air Albania” morën pjesë përfaqësues të klubeve të kampionatit “Abissnet Superiore”, përfaqësues nga çdo akademi futbolli në Tiranë, studentë të diplomuar në kurset që FSHF zhvillon, përfaqësues nga stafet e ekipeve Kombëtare, vajza dhe djem, si edhe përfaqësues nga secili klub i “Abissnet Superiore” për vajza.

Workshop-i kishte si synim rritjen e ndërgjegjësimit për anti-racizmin, barazinë dhe përfshirjen në futboll, si dhe prezantimin e qasjes së Inteligjencës Emocionale në kontekstin futbollistik, teksa u prezantuan edhe disa tema konkrete që lidhen me ndërtimin e aftësive praktike për përfshirjen në futboll, duke theksuar iniciativat dhe strategjitë kundër racizmit për krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës.

Pjesëmarrësit u nxitën me anë të diskutimeve, ushtrimeve dhe lojërave të ndryshme që zhvillojnë aftësitë e tyre për të rritur përfshirjen si në fushë ashtu dhe jashtë saj, duke i fuqizuar ata për të mbajtur qëndrime kundër racizmit, për të promovuar përfshirjen, diversitetin si dhe për të qenë më empatike dhe inteligjentë në kontekstin sportiv.

Ky nuk është workshop-i i parë që FSHF organizon pasi edhe në fundin e muajit shkurt të këtij vitit në “Shtëpinë e Futbollit” u zhvillua një workshop me temë “Diversiteti, Barazia dhe Përfshirja në Futboll” ku pjesëmarrës ishin përfaqësuesit e klubeve të “Abissnet Superiore”, drejtorë, trajnerë, futbollistë dhe futbolliste.

Risia e këtij seminari ishte prezantimi i konceptit të Inteligjences Emocionale në futboll si dhe njohja dhe rëndësia e emocioneve në jetën tonë private dhe profesionale. Lidhja direkte e zgjuarsisë Emocionale me 4 faktorët e suksesit: Efektivitetin, Marrëdhënie të suksesshme, Mirëqenie dhe Cilësine e jetës.