FSHF merr pjesë në seminarin e UEFA-s për licensimet dhe Fair Play financiar - FSHF

FSHF merr pjesë në seminarin e UEFA-s për licensimet dhe Fair Play financiar

Federata Shqiptare e Futbollit është duke marrë pjesë në workshopin rajonal “Club Licensing & Fair Play Financial” që organizohet nga UEFA në kuadër të procesit të licensimit të klubeve për kampionatet vendase dhe garat që organizon qeveria e futbollit europian. Në këtë seminar FSHF përfaqësohet nga Eduard Gjini, Menaxheri i Licensimeve, dhe Ledio Ndini, Ekspert Financiar.

Fokusi i këtij workshopi dy ditor që zhvillohet në San Marino është përmirësimi i infrastrukturës së klubeve, ku fokusi më i madh është te infrastruktura e akademive, si guri themelit për një futboll në rritje të vazhdueshme. Pjesëmarrësit janë njohur edhe me programin e UEFA-s për zhvillimin e të rinjve dhe rëndësinë që duhet ti kushtohet shëndetit të fëmijëve nëpër akademi. Futbolli i femrave është një ndër prioritetet më të mëdha të UEFA-s, siç u theksua edhe nga Presidenti Ceferin në Kongresin e fundit të zhvilluar në Romë, dhe në këtë frymë përfaqësuesit e federatave të pranishme në San Marino janë trajnuar dhe orientuar për licensimin e ekipeve të femrave dhe ndihmën që duhet ti jepet futbollit të femrave në vazhdimësi.

Zhvillimi i platformave të reja financiare dhe mënyrat e hedhjes së të dhënave nga klubet në këto platforma, në kuadër të procesit të aplikimit për një licensë të UEFA-s, ishte edhe pika më e rëndësishme e këtij workshopi, ku ekspertët financiarë shpjeguan në detaje mënyrën sesi klubet, nëpërmjet federatave ku aderojnë, të respektojnë Fair Play financiar.