FSHF mbështet Fondacionin Lorik Cana 5, investim në dy kopshte në Elbasan dhe Shkodër - FSHF

FSHF mbështet Fondacionin Lorik Cana 5, investim në dy kopshte në Elbasan dhe Shkodër

Lorik…. Filmi autobiografik i Lorik Canës u prezantua sot në një mbrëmje gala të organizuar në Tiranë. Një premierë private e organizuar nga Fondacioni Lorik Cana 5 ku ishin të pranishëm personalitete të shumta nga bota e sportit, politikës, diplomacisë. Nuk mungoi Presidenti i Republikës Ilir Meta, si edhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës Edi Rama dhe Ramush Haradinaj. Federata Shqiptare e Futbollit përfaqësohej me një delegacion që kryesohej nga Presidenti Armand Duka, Zv.Presidentët Lutfi Nuriu dhe Edvin Libohova, Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, Drejtori Administrativ Kejdi Tomorri dhe trajneri i Kombëtares Christian Panucci.

Sot ishte mbrëmja e duhur për të bërë prezantimin zyrtar të Fondacionit Lorik Cana 5, siç u shpreh edhe vetë kapiteni Cana, i cili në fjalën e tij shpjegoi se ky Fondacion është i drejtuar në dy degë: Sportin dhe Kulturën, me theksin te trashëgimia kulturore. “Para se ta përfundoja karrierën kam menduar shumë për mënyrat që unë të vazhdoj dhe të jap një lloj kontributi, kontribut për shoqërinë dhe vendin tim. Aty nisi dhe ideja për Fondacionin që është mënyra e duhur për tu përdorur si dritare mediatike. Drejtimi i parë, trashëgimia kulturore, vjen si rrjedhojë e pasionit tim për historinë dhe dashurinë për Shqipërinë time. Për drejtimin e dytë na u desh pak kohë për të zgjedhur programin e duhur. Në fund sëbashku me stafin tim vendosëm të investojmë në ndërtimin e një programi edukativ për fëmijët në sistemin parashkollor, duke i ofruar atyre ambiente sportive dhe edukim për tu njohur me sportin që në vegjëli”.

Presidenti FSHF, Armand Duka, në përshëndetjen e tij nënvizoi krenarinë për bashkëpunimin që institucioni që ai drejton ka krijuar me Fondacionin Lorik Cana, një bashkëpunim që u arrit brenda 3 minutash, me Komitetin Ekzekutiv të Federatës që u bind menjëherë për të mbështetur Lorik Canën dhe kauzën e tij, dhe duke filluar nga ky muaj FSHF do të kontribuojë me 2 fusha për dy kopshte në Elbasan dhe Shkodër. “Loriku e bëri dokumentarin shumë mirë, ndoshta mund të ishte edhe më i gjatë. Erdhi shumë shpejt në Kombëtaren Shqiptare dhe u bë shumë shpejt lider me shumë kontribute dhe me shumë rezultate. Me sakrifica dhe në fund ishte krenari për gjithë Shqipërinë. Ai vazhdon të kontribuojë në shoqërinë shqiptare, sepse kështu ka dëshirë ta konsiderojë aktivitetin e fondacionit të tij. Janë dashur jo më shumë se 2 ose 3 minuta për iniciativën që ai mori, që ne të bindeshim. Për të mbështetur Lorikun, por edhe kauzën. Do të vazhdojmë ta mbështesim fondacionin dhe kauza të tilla. I uroj suksese të mëtejshme Lorikut, dhe fondacionit “Cana 5” dhe sa më shumë kushte të mira për futbollin.”

Kryeministri Rama në fjalën e tij ka vlerësuar figurën dhe kontributin e Lorik Canës në sport dhe jo vetëm. “Loriku ka arritur të mishërojë atë që i bashkon shqiptarët kur shohin ekipin kombëtar, bashkimin e të gjithëve, pavarësisht se janë të lidhur në Shqipërinë që kemi, në Shqipërinë që do kemi, apo Shqipërinë që nuk kemi. Cana është shembulli që vërteton se një ëndërr që e shikon me sy hapur një ditë mund ta arrish”.