Përmirësimi dhe zhvillimi i infrastrukturës sportive në të gjithë Shqipërinë vijon të mbetet një nga prioritetet kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në këtë kuadër, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së u njoh me kërkesën e paraqitur nga KF Laçi për mbështetje në realizimin e një projekti të rëndësishëm infrastrukturor që synon krijimin e një kompleksi modern sportiv në qytetin e Laçit.
Projekti parashikon ndërtimin e një qendre bashkëkohore futbolli, e cila do të përfshijë disa fusha futbolli, ambiente shërbimi dhe mbështetëse, dhoma zhveshjeje për ekipet dhe stafet teknike, zyra administrative, si edhe struktura akomoduese për sportistët.
Kompleksi synohet të shërbejë jo vetëm për nevojat e KF Laçit, por edhe si një qendër rajonale futbolli për të gjithë zonën veriore të vendit. Ai do të krijojë kushte moderne për zhvillimin e ekipeve të moshave, ekipeve elitare, organizimin e grumbullimeve, turneve dhe aktiviteteve të ndryshme sportive në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
FSHF e konsideron këtë projekt një investim strategjik me ndikim afatgjatë për zhvillimin e futbollit dhe komunitetit lokal. Përveç përmirësimit të infrastrukturës sportive, realizimi i tij do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve stërvitore, krijimin e hapësirave moderne për edukimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj, si dhe në forcimin e rolit të futbollit si faktor zhvillimi për komunitetin.
Për realizimin e këtij investimi është propozuar një model bashkëpunimi ndërinstitucional, ku kontributet do të ndahen mes KF Laçit, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Kurbin. Në këtë drejtim, klubi i është drejtuar të gjitha palëve me kërkesë për mbështetje, duke synuar që projekti të materializohet nëpërmjet një partneriteti që i shërben interesit publik dhe zhvillimit të sportit në rajon.
Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së vlerësoi rëndësinë e veçantë të këtij investimi dhe mbështeti në parim vijimin e procedurave për realizimin e projektit, duke e konsideruar atë një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e futbollit në Laç dhe në të gjithë zonën përreth.
Federata Shqiptare e Futbollit mbetet e angazhuar për të vijuar investimet në infrastrukturë në çdo rajon të vendit, me bindjen se zhvillimi i futbollit nis nga krijimi i kushteve moderne për stërvitje, edukim dhe rritjen e brezave të rinj të futbollistëve.
Në këtë kuadër, bashkëpunimi i të gjitha institucioneve dhe aktorëve lokalë mbetet thelbësor për të kthyer projekte të tilla në realitete konkrete në shërbim të komunitetit dhe sportit shqiptar.

















