FSHF fillon bashkëpunimin me NFF dhe Qeverinë norvegjeze për rritjen e futbollit të femrave (VIDEO)

Per Ravn Omdal, ish Zëvëndës President i UEFA-s dhe Federatës Norvegjeze të Futbollit vizitoi ditën e sotme Federatën Shqiptare të Futbollit në kuadër të një fushate të ndërmarrë nga Qeveria norvegjese dhe Federata e futbollit nordik për rritjen e numrit të femrave që angazhohen me futbollin në Rajonin e Ballkanit. Ky projekt shumë interesant do të shtrihet edhe në Kosovë, Maqedoninë Veriore, Bosnje Hercegovinë, Serbi dhe Malin e Zi.

Zoti Omdal u prit në një takim nga Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, anëtari i Komitetit Ekzekutiv Vasil Bici dhe drejtues të tjerë të Federatës Shqiptare të Futbollit, në të cilin diskutuan në lidhje me projektin e tyre për trajnimin e rreth 120 trajnereve të futbollit të femrave në vitet 2019-2021.

Pas takimit dhe prezantimit të projektit të bashkëpunimit me FSHF, zoti Omdal foli për mikrofonat e FSHF.TV. “Duhet të them se është një ndjenjë fantastike të vij përsëri në Shqipëri. Është fantastike të shohësh progresin që ka bërë ky vend. Kam ardhur për herë të parë në Shqipëri në 1992 dhe jam rikthyer në vitin 1997 kur Shqipëria luante kundër Norvegjisë në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës. Më kujtohet situata në të cilën gjëndej Shqipëria dhe tani jam shumë i lumtur kur shikoj sa shumë kanë ndryshuar gjërat në këtë vend, jam gjithashtu shumë i lumtur për shqiptarët dhe futbollin shqiptar. Mendoj se kemi një interes të përbashkët. Ndoshta Norvegjia është disa vite para Shqipërisë përsa i përket futbollit të femrave sepse ne kemi investuar më shumë kohë në zhvillimin e tij. Por tashmë jemi partnerë me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe do mundohemi të zhvillojmë veçanërisht futbollin e femrave. Momentalisht është Qeveria norvegjeze qe po investon në këtë program zhvillimi për Shqipërinë dhe 5 shtete te tjera në Ballkan. Mendoj se është një investim mjaft i mirë sepse është tashmë e vërtetuar që kur femrat fillojnë të luajnë futboll, përfitimet janë të dukshme në aspektin social e familjar, por dhe për klubet e futbollit gjithashtu. Është një lëvizje e njëtrajtshme ku përfshihemi të gjithë dhe zhvillojmë jo vetëm futbollin por dhe shoqerinë tonë. Kjo është e bukura e futbollit”.