FSHF festë për fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti - FSHF

FSHF festë për fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti

Federata e Futbollit ka mbledhur në Kavajë sot mbi 50 fëmijë të familjeve të prekura nga tërmeti dhe ka organizuar një festë për ta, duke nisur një seri aktivitetesh të këtij lloji. FSHF mori vendimin për të anulluar të gjitha festat tradicionale të saj me rastin e fundvitit dhe vendosi gjithashtu që këto buxhete të shkojnë për fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti.

Punonjës dhe drejtues të federatës, si dhe anëtarë të stafit teknik të Kombëtares, Ervin Bulku dhe Ilir Bozhiqi, u takuan me vogëlushët dhe ju shpërndanë dhurata në një atmosferë festive enkas për ta. Zv/trajneri i ekipit kombëtar, Ervin Bulku, u shpreh se Federata e Futbollit dhe përfaqësuesja jonë, nuk mund të festojnë ndërkohë që qytetarët tanë vuajnë pasojat e tërmetit të tmerrshëm. “Për këtë arsye ne sollëm sot dhe do vijojmë të sjellim festë, argëtim dhe gëzim për fëmijët e dashur. Ne jemi një skuadër me të gjithë shqiptarët dhe do qëndrojmë pranë tyre”, tha ndër të tjera Bulku.

Këto aktivitete me rastin e festave të fundvitit, vijnë në vazhdën e aktiviteteve ndihmuese të FSHF dhe djemve të ekipit kombëtar për qytetarët e prekur nga tërmeti. FSHF gjithashtu ka nisur punën për evidentimin e tre shtëpive të rrënuara dhe më tej rindërtimin e tyre të plotë.