FSHF diplomon brezin e parë të video-analistëve - FSHF

FSHF diplomon brezin e parë të video-analistëve

Federata Shqiptare e Futbollit ka zhvilluar ditën e sotme ceremoninë e diplomimit të brezit të parë të video-analistëve, të cilët janë produkt i kursit që ka organizuar Departamenti i Analizës, Inovacionit dhe Skautizimit.

Video-analisti është një profesion i ri që ka lindur vitet e fundit në futbollin europian dhe atë botëror. Këtij trendi zhvillimor i është bashkuar dhe Federata Shqiptare e Futbollit e cila ka vendosur që nëpërmjet Departamentit më të ri që është krijuar, ti ofrojë klubeve mundësinë të kenë një video-analist në stafet teknike. Kursi për klubet e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë ishte falas, i mbuluar me shpenzimet e FSHF, dhe në të sollën përfaqësues klubet e Tiranës, Teutës, Partizanit, Skëndërbeut, Dinamos, Turbinës, Besës dhe Apolonisë, respektivisht katër nga Superiorja dhe katër nga Kategoria e Parë. Video-analistët. Në të njëjtën kohë me kurset e ofruara, Federata e Futbollit ka vendosur në dispozicion të klubeve dhe llogari personale në platformën Wyscout ku klubet mund të ndjekin lojtarë, të lexojnë dhe marrin të dhëna për klubet kundërshtare dhe gjëndjen e lojtarëve të tyre gjatë të gjithë sezonit futbollistik.

I kënaqur për këtë hap të parë është shfaqur edhe Alarico Rosi, drejtuesi i Departamentit të Analizës, Inovacionit dhe Skautizmit, i cili shikon një perspektivë shumë të mirë në lidhje me përdorimin e teknollogjisë dhe video-analizës në klubet tona. “Kënaqësi që mbyllën me sukses këtë kurs të parë, i cili është një hap cilësor përpara jo vetëm për Federatën, por për të gjithë futbollin shqiptar, duke parë që ka nisur revolucioni teknollogjik në Shqipëri me prezantimin e Departmanetit, përfundimit e kursit të parë të dedikuar për klubet dhe tani mund të themi që kemi video-analistët e parë të cerifikuar. Ne këtë proces formimi dhe edukimi do ta hapim për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të punojnë në botën e futbollit nëpërmjet detyrës së video-analistit, proces që do të sjellë përfshirjen në rregullore të licensimit të pozicionit të analistit nga sezoni 2021-2022. Ky projekt për këtë Departament ka lindur në gushtin e vitit të shkuar, i kërkuar me ngulm nga Presidenti Duka që ka investuar shumë për të sjellë falas për klubet shqiptare platformën më të madhe në botë të kërkimit të lojtarëve dhe analizën e të dhënave. Në brendësi të këtij projekti është edhe kursi i formimit të video-analistëve, të cilët më pas mund të punojnë si për Federatën Shqiptare të Futbollit ashtu edhe për klubet. Puna e këtij departamenti është një pjesë e projektit që kemi për reformimin dhe rritjen e futbollit shqiptar. Ky është një hap i parë shumë i mirë dhe një sinjal i mirë sepse nga tani ka klube që mund të zhvillojnë punën e tyre mbi skuadrën dhe lojtarët mbi të dhëna objektive dhe jo vetëm të bazuar nga paraqitja në një ndeshje”, ka përfunduar Rossi pronocimin e tij për FSHF.tv.