Forumi i Futbollit organizuar nga FSHF në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës - FSHF

Forumi i Futbollit organizuar nga FSHF në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës

FSHF ka nisur serinë e Forumeve të Futbollit. Takimi i parë u zhvillua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Presidenti i Federatës së Futbollit Armand Duka, i shoqëruar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, u prit nga dekani Prof. Dr. Dhori Kule dhe zhvilloi një forum bashkëbisedimi me studentët dhe pedagogët e fakultetit ekonomik. Gjithashtu në këtë forum, mori pjesë edhe Dekani i Fakultetit Juridik të UT, Prof. Dr. Artan Hoxha. Forumi u fokusua më së shumti te ecuria dhe problematikat e futbollit në vendin tonë.

Prof. Kule u shpreh: “Në këtë takim jemi të nderuar që mirëpresim Presidentn e Federatës së Futbollit, Armand Duka, ish-student i Fakultetit të Ekonomisë, që rikthehet pas shumë vitesh për të dhënë mesazhin që nevoja për të bashkëpunuar me të gjitha institucionit është eficensë për të gjithë. Konkurrenca është një forcë lëvizëse për të zhvilluar ekonominë.”

Presidenti Duka theksoi: “Rikthehem me kënaqësi pavarësisht që nuk jam në auditor si student por me pozita të tjera, që t’ju takoj dhe të ndajmë mendime sëbashku. Gjithashtu sot takova edhe disa miq, që tashmë janë pedagog, e dikur kemi qenë bashkarisht studentë. Ju njerëzit e numrave, jeni ekonomist , mund ta shihni si një të ardhme tuajën, bashkëpunimin me futbollin, manaxhimin e klubeve, futbollistëve, federatës dhe shumë faktorëve që ndihmojnë ta zhvillojnë sportin. Lufta jonë nuk është që ta vendosim sportin në prioritetin e zhvillimit të vendit, lufta jonë , është që ta fusim në listë. Mua më duket që politika shqiptare nuk e ka në listë sportin, por thjesht në momentë që i duhet për ndonjë votë dhe kur kemi rezultate të mira. Nuk ka një institucion të mirëfilltë për zhvillimin e sportit në Shqipëri, apo një strategji të mirëfilltë kombëtare. Fokusi jonë i 2020 është futbolli i fëmijëve dhe femrave, ne duam që femrat të luajnë njëlloj si meshkujt, të luhet futboll në të gjithë Shqipërinë. E kemi filluar rreth 10 viteve më parë futbollin e femrave, me shumë vështirësi, nuk e di pse, duhet ti krijojmë kushtet më të mira për futbollin e femrave. Ne kemi ekipin kombëtar të femrave, kemi një kampionat kombëtar femrash, kemi edhe ekipet e moshave kombëtare, por synojmë që të rrisim pjesëmarrjen e femrave në garë. Ku më vonë do të kërkojmë edhe rezultatet dhe cilësinë në futboll, gjithashtu edhe futbolli i fëmijëve është në vëmëndje maksimale. “

Prof. Hoxha u shpreh: “Ardhja e zotit Duka këtu është një mesazh për ne që jeta sportive duhet të jetë pjesë e jetës studentore. Kemi mundësi që të bashkëpunojmë më shumë por është një mundësi për studentët dhe të tregojmë aftësi jo vetëm në auditor por edhe në sporte të ndryshmë.”

Forumet e Futbollit të inicuara nga FSHF, synojnë të rrisin komunikimin publik dhe shkëmbimin e ideve, iniciativave dhe vizionit nga ana e Federatës sëbashku me institucionet, universitetet, shoqërinë civile etj. për rëndësinë e futbollit, si sporti më i dashur për shqiptarët.