FK Apolonia shpallet kampione e Kategorisë së Parë - FSHF

FK Apolonia shpallet kampione e Kategorisë së Parë

Është ekipi i FK Apolonisë fituesi i kampionatit për Kategorinë e Parë, sezoni 2019-2020, pasi ka fituar me rezultatin 2-1 ndaj Kastriotit, në finalen e kësaj kategorie të luajtur sonte në orën 19:00.

Kjo finale mjaft e luftuar midis dy ekipeve fituese në dy grupet e Kategorisë së Parë u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena” të qytetit të Elbasanit.

Krutanët kaluan të parët në avantazh me anë të Ajazit në minutën e 40-të pas një aksioni të bukur në zonë, por ky avantazh ka vijuar vetëm për 3 minuta pasi Apolonia ka baraspeshuar me anë të Redon Mihanës në minutën e 43-të të fraksionit të parë të lojës.

Me këtë rezultat finalistet e Kategorisë së Parë që edicionin e ardhshëm do garojnë në Kategorinë Superiore, janë drejtuar drejt dhomave të zhveshjeve për pushimin e pjesës së parë.

Në pjesën e dytë të kësaj ndeshje ka vijuar një sfidë e luftuar, ku në minutën e 67-të, Ajazi ka realizuar një autogol duke kaluar skuadrën fierake në avantazh.

Me këtë rezultat KS Kastrioti 1-2 FK Apolonia, është mbyllur finalja e këtij kompeticioni, ku skuadra e qytetit të Fierit shpallet kampione.

Medaljet dhe trofeun fituesve ia ka dorëzuar Presidenti i FSHF-së, z.Armand Duka.