FEDERATAT E RAJONIT TË BALLKANIT MBLIDHEN NË BUKURESHT. VENDOSIN NISJEN E TURNEUT PËR MOSHËN U-15 MES KËTYRE VENDEVE!

Në datat 19-21 shtator 2018, në Bukuresht të Rumanisë u zhvillua takimi vjetor Rajonal i Federatave te Rajonit të Balkanit, dhe më gjerë. Prezent në këtë takim ishte edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Kjo tryezë që mblodhi bashkë Presidentët dhe Sekretarët e Përgjithshëm të 14 federatave, ishte një mundësi e shkëlqyer për shkëmbimin e praktikave më të mira, diskutimin e aktiviteteve ndërkufitare, si edhe nisjen e projekteve për rritjen e futbollit mes vëndeve të rajonit. Pjesë e takimit ishin edhe zyrtarë të UEFA-s, Zoran Lakoviç, Drejtor i Departamentit të Federatave Kombëtare, Noel Mooney, Drejtues i Zhvillimit të Biznesit në Federatat Kombëtare, si edhe Denis Bastari, Menaxher i Programit “HatTrick” në UEFA, (ish-Drejtor i Administratës në FSHF).

MINI-TURNEU RAJONAL U-15

Futbolli i fëmijëve dhe të rinjve ishte një pikë sensitive e diskutimit, ku u evidentua fakti që duhen ndërmarrë përpjekje për ofrimin e mundësive për këtë grupmoshë, si dhe gjetja e mekanizmave për të mbajtur lojtarët e rinj në klubet e tyre. Një konstatim në këtë kuadër nga ana e pjesëmarrësve ishte edhe fenomeni i humbjes së interesit të fëmijëve mbas moshës 12 vjeç. Dhe për këtë arësye, politikat e motivimit dhe shpërblimit mbeten shumë thelbësore dhe prioritare.

Në këtë linjë anëtarët e këtij grupimi, pas një konsultimi gati dy-vjeçar edhe me UEFA-n, propozuan organizimin e një Turneu Rinor për moshën U-15 me pjesëmarrjen e 14 federatave anëtare, si edhe dy federatave mike, nga konfederata të ndryshme (psh., CONCACAF).

Turneu është menduar të zhvillohet në periudhën e verës (1-15 korrik) dhe/ose dimër (15 janar – 15 shkurt) 2019.

Gjithashtu në lidhje me këtë aktivitet u propozua ideja e krijimit të një Nënkomiteti të Posaçëm i cili do të angazhohej me organizimin e turneut U-15.