Faza finale e programit të “UEFA CFM” zhvillohet në Shqipëri, Shulku: Investim esencial për të gjithë, faleminderit UEFA-s! - FSHF

Faza finale e programit të “UEFA CFM” zhvillohet në Shqipëri, Shulku: Investim esencial për të gjithë, faleminderit UEFA-s!

Federata Shqiptare e Futbollit do të mirëpresë sot dhe nesër në Shqipëri programin “Certificate in Football Management” (UEFA CFM) në bashkëpunim me Akademinë e UEFA-s dhe Universitetin e Lozanës.

Ky është një program mjaft i rëndësishëm dhe tejet i domosdoshëm për çdokënd që punon në një institucion futbolli, për të rritur nivelin e menaxhimit dhe performancës, teksa këto dy ditë do të zhvillohen edhe seminaret dhe provimet finale.

Ky edicion i CFM u mirëprit këtë herë nga Federata Shqiptare e Futbollit, me UEFA-n që tashmë e ka kthyer institucionin e futbollit shqiptar në një partner mjaft të besueshëm sa i përket organizimit të eventeve të rëndësishme. Pjesëmarrës në këtë kurs nuk janë vetëm përfaqësues të kësaj organizate dhe të klubeve shqiptare, por edhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, si Gjermania, Kroacia, Azerbajxhani, Bullgaria e Hungaria, të cilët patën mundësi të ndiqnin kursin për 9 muaj me radhë, duke u trajnuar nga akademikë të UEFA-s e Universitetit të Lozanës.

Të gjithë pjesëmarrësit patën mundësi që të zhvillonin më tepër njohuritë e tyre përmes këtij programi kaq të vlefshëm për menaxhimin e futbollit. Në përfundim të seminarit ditën e nesërme do të zhvillohet edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave për pjesëmarrësit që do të arrijnë të mbyllin me sukses programin dhe të kalojnë të gjitha provimet.

Sakaq, në ditën e parë të seminarit, që po zhvillohet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, përshëndeti pjesëmarrësit dhe falënderoi UEFA-n që i besoi FSHF-së organizimin e këtij programi kaq me vlerë që do t’i shërbejë të gjithëve për të rritur nivelet e organizatave apo klubeve të futbollit. Shulku u ndal edhe tek aktiviteti madhor që organizoi UEFA sërish në bashkëpunim me FSHF-në në Shqipëri, finalja e suksesshme e Conference League, duke theksuar se ky event, si edhe ky kurs i CFM të shërbejë për të zhvilluar më tej futbollin.

“Dëshiroj të falënderoj UEFA-n që i besoi FSHF-së organizimin e këtij edicioni dhe besoj që ky investim esencial dhe akademik shënon një risi edhe në dimensionin e FSHF-së për zhvillimin e ekspertizës dhe rritjes profesionale në koherencë dhe praktikat e studimet bashkëkohore europiane. Duke marrë në konsideratë faktin se epoka në të cilën jetojmë na përball me sfida të shumta dhe të ndryshme ku futbolli nuk është vetëm një lojë shpreh bindjen që ky certifikim që po përmbyllni sot do t’ju shërbejë shumë të gjithëve ju për të kontribuar gjithmonë e më shumë në rritjen e Federatave apo klubeve që përfaqësoni. Aktivitetet e shumta që UEFA na ka besuar këto vitet e fundit tregojnë se Federata Shqiptare e Futbollit është një institucion që vazhdon të rritet ditë pas dite, që u konfirmua edhe me përfundimin e suksesshëm të UEFA Europa Conference League që u zhvillua më 25 maj. Një eksperiencë e jashtëzakonshme për ne, stafin tonë, një pjesë e të cilëve janë edhe pjesëmarrës në këtë kurs. Uroj shumë që kjo eksperiencë e finales si dhe ekspertiza që është përftuar në këtë kurs të këtij niveli të lartë të na shërbejë akoma më shumë në konsolidimin, organizimin, zhvillimin dhe progresin e lojës magjike të futbollit” – theksoi Shulku.

Edhe një nga asistentet e këtij programi në Akademinë e UEFA-s, Aleksandra Doncila, në fjalën e saj përpara të gjithë pjesëmarrësve u shpreh mjaft e emocionuar që është në Shqipëri për këtë program. “Më vjen shumë mirë që ju shoh sërish të gjithëve në këtë seminar të tretë të CFM dhe jam shumë e emocionuar që jam këtu me ju në Shqipëri” – tha Aleksandra Doncila.