Europiani U-21 / Shpresat mbyllin eliminatoret në vendin e 3-të në grup - FSHF

Europiani U-21 / Shpresat mbyllin eliminatoret në vendin e 3-të në grup

Kombëtarja shqiptare U-21 ka luajtur sot ne Angli sfidën e fundit për eliminatoret e Europianit 2021, Grupi 3. Kuqezinjtë e drejtuar nga Dzemal Mustedanagic e nisën sfidën e luajtur në stadiumin “Molineux”, të Wolverhampton me këtë formacion: Molla, Marku, Selmani, Sota, Mitaj, Çokaj, Tuci, Muçi, Dobra, Xhixha dhe Bullari.

Anglezët në krahun tjetër vinin në këtë duel pas një forme mjaft të mirë dhe si kryesues të grupit. Ishullorët e nisën vrullshëm ndeshjen duke gjetur shumë shpejt avantazhin në minutën e 5-të me anë të Hudson-Odoi, i cili goditi saktë me të djathtë duke mposhtur portierin debutues Marco Molla. Kuqezinjtë përpiqen të reagojnë, por goli u ka dhënë krahë anglezëve, të cilët në minutën e 26-të realizojnë golin e 2-të me Justin. Në minutën e 36-të shënon edhe talenti Musiala, i cili paraqitet i vetëm me portierin shqiptar pas një kombinimi në hyrje të zonës dhe fikson shifrat në 3-0 për vendasit.

Me kaq mbyllet pjesa e parë, ndërsa në pjesën e dytë Mustendanagiç përpiqet të ndryshojë rrjedhën e lojës, duke hedhur në fushë Ndreçkën dhe Mihanën në vend të Tucit dhe Xhixhës. Gjithsesi, Anglia vazhdon të ushtrojë presion dhe në minutën e 52-të Nketiah përfiton nga një pasiguri e mbrojtjes kuqezi për të shënuar golin e katërt. I njëjti sulmues fiton një penallti në minutën 81-të dhe vendos ta ekzekutojë po vetë, por gjuajtja e tij grushtohet nga portieri Molla. Shpresat tentojnë në disa raste me Mitajn, Ndreçkën dhe Mihanën të godasin portën, por pa sukses. Në minutën e 86-të, Nketiah realizon edhe golin që vulos rezultatin final në shifrat në 5-0.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Austria U-21 mposhti me rezultatin 4-0 Andorrën U-21. Në përfundim të këtyre eliminatore Shqipëria U-21 pozicionohet në vendin e tretë me 14 pikë në Grupin 3, që kryesohet nga Anglia U-21 me 28 pikë të grumbulluara pas 10 ndeshjesh. Në vendin e dytë u rendit Austria me 18 pikë. Sidoqoftë, duhet përmendur fakti se Shpresat shqiptare kanë bërë një edicion të mirë duke lënë pas në renditje edhe Turqinë U-21, Kosovën U-21 dhe Andorrën U-21. Përveç paraqitjeve të mira në këtë edicion të eliminatoreve të Europianit 2021 kanë spikatur dhe mjaft talente të perspektivës që do të jenë të vlefshme për Kombëtaren A.

ANGLI U21 – SHQIPËRI U21 5-0
GOLAT: Hudson-Odoi 5’, Justin 26’, Musiala 36’, Nketiah 52’, 86’

ANGLI: Bursik, Wilmot, Godfret, Kelly, Justin, Musiala (Jones 61’), Skipp (Dasilva 76’), Davies, Buchanan (McNeil 76’), Hudson-Odoi (Gallagher 61’), Nketiah.
Trajner: Aidy Boothroyd

SHQIPËRI: Molla, Marku, Selmani, Sota, Mitaj (Kraja 81’), Çokaj, Tuci (Ndreçka 46’), Muçi (Ademi 68’), Dobra (Pëllumbi 68’), Xhixha (Mihana 46’), Bullari.
Trajner: Dzemal Mustedanagic