Europiani U-21 / Shpresat marrin fitoren e 3-të radhazi, Kosovë 0-1 Shqipëri

Kombëtarja shqiptare U-21 ka marrë një fitore mjaft të vlefshme sot, teksa ka mundur me rezultatin 0-1 Kosovën në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2021, Grupi 3. Skuadra shqiptare e nisi sfidën e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës me këtë formacion: G. Selmani, Mitaj, A. Selmani, Sota, Marku, Ademi, Kraja, Çokaj, Muçi, Mala, Tuci. Shpresat drejtoheshin në këtë sfidë nga Džemal Mustedanagić, duke qenë se trajneri Alban Bushi kishte rezultuar pozitiv me Covid-19 dy ditë më parë.

View this post on Instagram

A post shared by FSHF (@fshforg)


Ndeshja nis me të dyja skuadrat që duket se studiojnë njëra-tjetrën me kuqezinjtë që gradualisht marrin kontrollin dhe i afrohen në disa raste portës së Kosovës. Në minutën e 35-të Kombëtarja U-21 gjen edhe golin, që në fund do të rezultonte vendimtar dhe me vlerën e 3 pikëve. Skuadra kuqezi fiton një goditje nga këndi që ekzekutohet nga Muçi. Krosimi përfundon në qendër të zonës, aty ku Çokaj godet saktë me kokë dhe shënon gol.
Pas vetëm 3 minutash Shqipëria ma një shans të artë për të shënuar dhe golin e dytë, kur Indrit Tuci rrëmben një top në sulm dhe del i vetëm me portierin, por gjuajtja e tij devijohet në këndore nga mbrojtësi i fundit i Kosovës.
Në minutën e 51-të Kosova i afrohet shumë golit të barazimit me Mustafën, i cili godet nga afër portës, por topi përplaset në traversë.

Kuqezinjtë reagojnë menjëherë dhe në aksionin pasardhës Tuci i vetëm me portierin nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë, pasi gjuajtja e tij bllokohet. Në minutën e 68-të, ekipi shqiptar i afrohet sërish golit me Xhixhën, i cili për pak sa nuk shkund rrjetën pas një gjuajtje me kokë.
Në minutat e fundit kuqezinjtë arrijnë të administrojnë rezultatin dhe marrin kështu 3 pikët, duke ruajtur vendin e tretë në Grupin 3 me 14 pikë, vetëm një më pak se Austria e vendit të dytë pas 9 ndeshjeve të luajtura.
Në ndeshjen tjetër të grupit të luajtur sot, Turqia U-21 mposhti me rezultatin 3-2 Austrinë U-21.