EURO 2024/ Shqipëria barazon me Çekinë në Pragë - FSHF

EURO 2024/ Shqipëria barazon me Çekinë në Pragë

Kombëtarja shqiptare barazoi me rezultatin 1-1 ndaj Republikës Çeke, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’. Një pikë shumë e rëndësishme, që i mban kuqezinjtë në vendin e dytë, në garë për një vend në finalet e kampionatit të ardhshëm europian.

Trajneri Silvinjo hodhi në fushë këtë formacion titullar: Berisha; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani; Asani, Bajrami, Seferi; Cikalleshi.

Në takimin e zhvilluar në stadiumin ‘Fortuna Arena’ në Pragë mbrëmjen e sotme, kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje të mirë, teksa barazuan me shifrat 1-1. Pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura me raste shënimi nga të dyja ekipet, por pa finalizimin e duhur në portat përkatëse.

Sakaq, në fraksionin e dytë të lojës, pikërisht në minutën e 56-, çekët kaluan të parët në epërsi me një gol që në fillim ishte i dyshimtë, por që u konfirmua më pas nga VAR.

Goli i barazimit për kuqezinjtë erdhi pikërisht nga numri 10 i Kombëtares, Nedim Bajrami. Mesfushori shqiptar realizoi një super gol në minutën e 66-të me të djathtën nga jashtë zonës, teksa portieri çek nuk mund të bënte asgjë për të shmangur perlën që mban firmën e Nedim Bajramit. Një gol që vlen një pikë dhe lë të hapura llogaritë në grupin E.

Në minutën e 84-të, kuqezinjtë patën një mundësi të mirë për të kaluar në avantazh falë një kundërsulmi, por, në momentin vendimtar Mirlind Daku gaboi pasimin për te Muja. Si Mirlind Daku, ashtu edhe Arbnor Muja debutuan sonte me barazim me fanellën kuqezi.

Pas kësaj ndeshjeje, Shqipëria renditet e dyta në grup me shtatë pikë, një më pak se Çekia e vendit të parë dhe një më shumë se Polonia e vendit të tretë.

Të dielën, Kombetarja luan ndeshjen e pestë në grupin E, kundër Polonisë në stadiumin ‘Air Albania’ duke nisur nga ora 20:45.