Është koha për masa ekstreme individuale për të mirën tonë të përbashkët! FSHF i bashkohet FIFA-s dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të luftuar COVID-19.

Federate Shqiptare e Futbollit i është bashkuar një fushate globale të ndërmarrë nga qeveria botërore e futbollit FIFA dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, pjesë e OKB, për të luftuar virusin COVID-19.

Krahas masave të ndërmarra nga autoritetet lokale të shëndetit në secilin vend, një bashkëpunim i të gjitha organizatave dhe institucioneve shihet si i nevojshëm në një kohë kur virusi COVID-19 ka paralizuar jetën në shkallë globale.

Në këtë kuadër, FIFA si institucioni më i lartë i futbollit botëror, bazuar edhe në bashkëpunimin me OBSH, u bëri thirrje federatave të përdorin ndikimin e tyre në shtetet përkatëse te klubet e futbollit, akademitë, grupet e tifozerive, futbollistët e të gjitha moshave dhe familjet e tyre, që të merren masa ekstreme për të parandaluar përhapjen e virusit.

Në këtë frymë, FSHF i bën një thirrje e veçantë komunitetit të futbollit shqiptar ta shtrijmë këtë fushatë në çdo grup të shoqërisë sonë si një përgjegjësi e madhe humane dhe çdokush të bëhet pjesë e saj në mbrojtje të jetës!