Pas suksesit të arritur 5 muaj më parë në kualifikimin në grup, nisin këtë të premtë edhe ndeshjet zyrtare eleminatore të kombëtares A të femrave. Në sfidën hapëse të Grupit B ekipi i drejtuar nga Armir Grima do të përballet me Zvicrën, një nga skuadrat pretendente për të qënë pjesëmarëse në botërorin e ardhshëm në Francë. Në daljen publike përpara mediave së bashku me kapitenen Albina Rrahmani, trajneri Armir Grima do të theksonte: “Ne pretendojmë që këto eleminatore të bëjmë dicka më shumë se herët e tjera dhe të reklamojmë futbollin e femrave. Mendojmë që do ecim me hapa të kujdesshëm, duhet të tregohemi të matur dhe të shohim se nga vijmë. Zvicra është kokë grupi, do jetë e vështirë por do të bëjmë gjithcka në fushën e lojës”,- theksoi Grima. Ndërsa Rrahmani, kapitenia e skuadrës do të shtonte: “Shpresojmë të jemi surpriza e grupit dhe të mos jemi në fund, por duhet shumë punë dhe shumë besim”. Në grupin e Shqipërisë bëjnë pjesë edhe ekipet e Zvicrës, Polonisë, Skocisë e Bjellorusisë. Ndeshja luhet ditën e premte në orën 17.00 në “Elbasan Arena”.

















