Ekipi Kombëtar U-17, grumbullim dy ditor në kuadër të programit “Step by Step” - FSHF

Ekipi Kombëtar U-17, grumbullim dy ditor në kuadër të programit “Step by Step”

Ekipi Kombëtar U-17, do të zhvillojë një grumbullim dy ditor në datat 30 dhe 31 janar. Ky grumbullim do të jetë në kuadër të programit “Step by Step” i cili ka nisur nga puna edhe këtë vit dhe deri më tani janë stërvitur lojtarë të grup-moshës U-15 dhe U-17, të cilët aktivizohen me klubet e kampionatit shqiptar.

Për këtë arsye, Drejtoria Teknike e FSHF-së dhe specialistët e Departamentit të Ekipeve Kombëtare, kanë vendosur që ekipi Kombëtar U-17 të grumbullohet në datat 30 dhe 31 janar, ku të përzgjedhur do të jenë lojtarët që aktivizohen me klubet e kampionatit shqiptar.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Ardi Behari do të grumbullohet në Tiranë, teksa do të zhvillojë stërvitjet në fushat e “Shtëpisë së Futbollit”. Gjatë këtij grumbullimi do të zhvillohet edhe një ndeshje kontrolli dhe lojtarët do të jenë të monitoruar gjatë gjithë kohës, për të vëzhguar nga afër gjendjen e tyre.

Elementët që do të spikatin do të kenë mundësi që në të ardhmen të japin kontributin e tyre edhe në ndeshje zyrtare për Kombëtaren U-17.

Sakaq, puna me projektin “Step by Step” do të vijojë edhe në muajin shkurt, teksa dy ditë në javë në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” do të stërviten lojtarë të grup-moshës U-15, U-17 dhe U-19.

Projekti “Step by Step” ka si qëllim të angazhojë të gjithë futbollistët e grupmoshave U-15, U-17 dhe U-19 të cilët jetojnë në Shqipëri, pasi synohet që të rritet sa më shumë cilësia e lojtarëve vendas, të cilët janë pjesë e klubeve dhe akademive shqiptare, në mënyrë që ato të bëhen baza e ekipeve kombëtare të moshave.