Egnatia-Tirana do të jetë finalja e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2022/2023! - FSHF

Egnatia-Tirana do të jetë finalja e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2022/2023!

Tirana dhe Egnatia do të përballen në finalen e Kupës së Shqipërisë 2022/2023 pas arritën të kualifikohen në fazë gjysmëfinale.

Egnatia vjen për herë të parë në finalen e këtij kompeticioni pasi eliminoi Vllazninë pas dy sfidave.

Ndeshja e sotme e luajtur në stadiumin e Rrogozhinës përfundoi me fitoren 1-0 të Egnatias, falë një goli në minutat e fundit të Jackson, që vlejti kualifikimin. Ndeshja e parë e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës kishte përfunduar në barazim 1-1.

Në gjysmëfinalen tjetër, Tiranës i mjaftoi një barazim 0-0 ndaj Teutës në sfidën e luajtur në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit për të siguruar finalen e madhe. Klubi kryeqytetas kishte fituar ndeshjen e parë në shtëpi me rezultatin 3-0.

Finalja e Kupës së Shqipërisë 2022/2023 mes Tiranës dhe Egnatias do të luhet më datën 1 qershor në stadiumin “Air Albania” të kryeqytetit.

Ekipi rrogozhinas ka mundësinë si kurrë më parë në historinë e vet të fitojë një nga dy trofetë më të rëndësishëm sezonalë, teksa del për herë të parë në finale, ndërsa nga ana tjetër është Tirana me klubin bardheblu që mban edhe rekordin e trofeve në këtë kompeticion, pasi e ka fituar Kupën e Shqipërisë plot 16 herë.