Edicioni i ri i futbollit të femrave, hidhet shorti. Njihuni me kalendarin e plotë të kampionatit - FSHF

Edicioni i ri i futbollit të femrave, hidhet shorti. Njihuni me kalendarin e plotë të kampionatit

Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar paraditen e kësaj të shtune hedhjen e shortit për edicionin e ri të Kampionatit Kombëtar të Femrave në futboll.

Në shortin e zhvilluar në ambientet e stadiumit “Air Albania” ishin të pranishëm shefi i Departamentit të Kompeticioneve në FSHF, Marjus Sulejmani, specialisti Endi Hyka, futbollistja e Tiranës, Katerina Simoni si edhe përfaqësuesit e klubeve të futbollit të femrave, të cilët u njohën me kalendarin për 21 javët e sezonit 2021-2022.

Ky edicion i ri kampionatit të futbollit të femrave që nis më 2 tetor ka pësuar disa ndryshime. Ekipi i Bilisht Sport nuk do të jetë pjesë e këtij kampionati, ndërsa ekipi i AAS-së në Shkodër ka marrë emrin “Atletik Club” dhe ekipi i Juban Danjës do të mbajë emrin e ri “Murlan”.

Kampionati është i përbërë nga 11 skuadra dhe do zhvillohet në dy faza, me çdo skuadër që do të luajë 21 ndeshje.Pas hedhjes së shortit, për fshf.org u prononcuan dy nga përfaqësuesit e klubeve që ishin të pranishëm në sallën e konferencave. Alpin Gallo, trajneri i ekipit të Tiranës falënderoi Federatën për punën e bërë me futbollin e femrave, ndërsa foli edhe për objektivat e Tiranës në këtë edicion të ri. “Para se të dal te shorti dua të falënderoj Federatën për ndryshimet pozitive të bëra, pasi e dimë pak a shumë si ka qenë problematika e futbollit të femrave. E nisëm me vështirësi, por është një mision mjaft i rëndësishëm për sportin, sepse siç e ushtron në mënyrë masive futbollin meshkujt, një rëndësi të madhe i ka dhënë edhe futbollit të femrave, që për mua këto vitet e fundit ka marrë një zhvillim mjaft të madh. Është viti i dytë që merrem me trajnimin e ekipeve të femrave të Tiranës. Për të qenë realist, e mora pak me pesimizëm, sepse nuk kisha trajnuar ndonjëherë vajzat, por pashë grintë dhe ego më të madhe se te gjinia mashkullore. Femrat kanë një karakter të domosdoshëm për të qenë sportiste dhe sa vjen e po përmirësohet futbolli i femrave. Sepse edhe vetë FSHF ka një ndihmesë mjaft të madhe dhe për mënyrën e organizimit, që është shumë e mirë, shtuar edhe detyrimin e klubeve për të pasur ekip femrash, e bën që të krijojë një vëmendje dhe një tjetër vizion për të ardhmen e futbollit të femrave. Objektivat e Tiranës? Po t’i pyesësh të gjithë ekipet, thonë që duan të dalin kampion. Vërtetë ne kemi krijuar një grup relativisht të mirë, kemi ruajtur frymën e grupit të vjetshëm. Besoj se këtë vit do të kemi një futboll, akoma edhe më të bukur. Rruga është shumë e gjatë për të thënë se ku do arrijmë, por me atë që kemi bërë dhe atë që kemi krijuar, besoj se do jemi në vendet e para”, – tha Gallo.

Edhe përfaqësuesi i klubit të Atletik Club dha një prononcim për fshf.org, ku komentoi shortin ndërsa e konsideroi si pozitive rritjen e futbollit të femrave në vend. “Shorti besoj se na favorizon në 2-3 javët e para, sepse janë ekipe që kemi luajtur edhe vjet dhe besoj se do bëjmë një nisje të mbarë të kampionatit të ri. Përderisa jemi një ekip që jemi krijuar së fundmi, nuk mund të vendosim objektiva madhore, por shpresojmë që me punë do të arrijmë disa gjëra të mira. Futbolli i femrave në Shqipëri? – Ka një rritje pozitive, duke pasur parasysh edhe investimet që po bën FSHF-ja, besoj se është një motiv më tepër për vajzat që të vazhdojnë futbollin. Një mesazh për të gjithë, futbolli nuk është vetëm për djem, por edhe për vajzat, jo vetëm te ne, por në të gjithë botën dhe shpresoj që të angazhohen sa më shumë, sepse është për të mirën e shëndetit mbi të gjitha”.

Java e parë do të luhet më 2 tetor dhe këto janë çiftet:

Vllaznia – KF Murlani
Atletik Club – KF Skënderbeu
Apolonia – Partizani
Kinostudio – Tirana
Lushnja -KF Teuta
Tirana AS – pushim

Kalendari i plotë i edicionit 2021-2022:

Kalendar Femra 2021-2022