Dy fitoret e U-21, analiza e Bushit: I kënaqur me grupin, kemi alternativa - FSHF

Dy fitoret e U-21, analiza e Bushit: I kënaqur me grupin, kemi alternativa

Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi ka dalë sot në një konferencë për shtyp për të analizuar dy fitoret radhazi të kuqezinjve të vegjël, me Austrinë në transfertë dhe me Andorrën në Elbasan. Tekniku i Shpresave u shpreh i kënaqur nga loja e futbollistëve dhe theksoi se Kombëtarja A do të ketë prurje të mëdha në të ardhmen duke parë talentet e shumta që po rriten te moshat.

Sipas trajnerit, prioriteti kryesor i ekipit U-21 mbetet furnizimi i Kombëtares A. Tekniku kuqezi, duke analizuar dy ndeshjet, u shpreh se ka filluar të mendojë që tani për ndeshjen e radhës me Kosovën. Ndeshja e ardhshme e vlefshme për eliminatoret EURO 2021 do të luhet në 13 nëntor.

– Alban, para këtyre dy ndeshjeve, objektivi yt ishte vendi i tretë në grup. Pas këtyre dy fitoreve fantastike, kjo Shpresë na jep shumë shpresë, ndyshojnë objektivat? Mund të synohet vendi i dytë apo është gjithmonë furnizimi i ekipit A si prioriteti kryesor?

– Prioriteti kryesor patjetër që është furnizimi i ekipit A, e kemi thënë që në fillim të edicionit ose që kur kam filluar unë trajner i ekipit Kombëtar U-21. Komplet strategjia e ekipeve kombëtare është që të furnizosh Kombëtaren A, por gjithsesi nuk i kemi lënë asnjëherë pas rezultatet apo objektivat për të shkuar sa më lart.

Gjithmonë kemi vlerësuar ndeshje pas ndeshje. Ne jemi ekip modest, jemi ekip i vogël, nuk mund të krahasohemi me Gjermaninë, Italinë, Spanjën, apo këto ekipët e mëdha që kanë gjithmonë objektivat e vendit të parë apo vendit të dytë. Ne duhet t’i shikojmë ndeshjet një nga një siç i kemi parë dhe në fund fare bëjmë llogaritë.

Është një moment i mirë për ne, është një moment që mund të shpresojmë dhe do të shpresojmë. Dua të përqëndrohem dhe të fokusohem vetëm te ndeshja e Kosovës, të mbarojmë këtë ndeshje pastaj do flasim për ndeshjen tjetër ose për objektiv.

– Sa i kënaqur është Bushi me këtë kontigjent lojtarësh që ka dhe a pret të tjerë?

– Unë jam shumë i kënaqur dhe ju po të bëni një analizë si media sportive, ju duhet të shikoni që ekipi i Shpresës sa herë që grumbullohet ka 10 ose 12 lojtarë të rinj dhe kjo na e vështirëson ne punën për ato tre-katër ditë që ne kemi për të punuar sepse gjithmonë ne kemi ndërrime, disa i merr ekipi i parë A, disa mungojnë për arsye dëmtimesh apo për arsye siç ishte pandemia tani, që kishim pothuajse 13 lojtarë më pak se ndeshja e fundit e shpresës dhe kemi gjithmonë djem të rinj. Kjo tregon që është bërë një punë e mirë tek ekipet e moshave të Shqipërisë.

Federata e Futbollit ka ndërtuar një strategji shumë të mirë, duke krijuar ekipe nga U-13 që do të marrë pjesë në kampionatin e Kategorisë Superiore këtë vit U-15, U-17,  U-19, U-21. Kjo është një punë që ka filluar herët dhe jep frytet e veta tani. Sa herë që kemi mungesa, ne nuk është se i ndjejmë ato mungesa. Përsëri ekipi është mirë dhe kjo tregon që kemi një brez që po vjen dhe kemi shumë alternativa. Kjo do të thotë që ekipi kombëtar A nuk do të vuajë në të ardhmen.

– Bushi, arrini të shënoni 8 gola në dy ndeshje. Nëse do kthehemi pas në këto dy ndeshje, besoje se do të arrije këto rezultate, pra një fitore 5-1 sepse Andorrën po e marr si kundërshtar pak të lehtë në letër dhe pse nuk ishte aq e lehtë. Po të shënosh 8 gola, kishte kohë që shpresat nuk shënonin kaq shumë. E prisje?

– Nuk prisja që t’i shënoja 3 gola Andorrës kurse për Austrinë isha shumë optimist. E kanë shprehur të gjithë djemtë në konferencë para se të niseshim, e kam shprehur edhe vetë personalisht përpara ndeshjes kur kemi bërë analizën që mund të bëjmë katër-pesë gola sepse nëse luajmë siç dimë ne që luajmë topin poshtë, një futboll shumë të bukur, do t’i shënojmë 4-5 gola.

Këtë ia kam thënë çunave para se të zbrisnim në fushë sepse janë ekip që luajnë hapur, thuajse stil gjerman, të lënë të luash futboll dhe ekipi ynë është shumë i rrezikshëm po i le të luash futboll. Ia arritëm qëllimit, i kisha frikë sepse ishin një ekip që na kishin mundur 4-0 këtu. Por ajo fitore nuk ishte e merituar nga Austria, pavarësisht se ishin 4 gola, nuk dua ta kujtoj tani atë.

Kisha shumë besim se do të fitonim, kurse Andorrën e kisha frikë në kuptimin që rrinim shumë mbrapa dhe Shqipëria e ka problem sepse nuk luajmë përherë me këto ekipet që na rrinë mbrapa. Por bëmë dy ditë stërvitje para Andorrës dhe punuam dy ditë për të dalë nga krahët dhe të vendosnim dy sulmuesit tonë, siç vendosëm Vrionin dhe Bullarin, të gjatë për me kokë, për të shfrytëzuar krahët dhe të shënonim dhe ia dolëm. Ishte një ndeshje që duhet të merrnim tre pikë patjetër.

– Ju përmendët mungesat që ka kombëtarja e 21 vjeçarëve. Këta lojtarë që luajtën tani, arrijnë të shënojnë 8 gola dhe të fitojnë dy ndeshje, beson se ata që munguan do ta kenë të vështirë të kthehen dhe të jenë titullarë sepse 8 gola në dy ndeshje, edhe ti vetë e ke të vështirë t’i lëvizësh nga formacioni.

– Ata që munguan janë lojtarë shumë të mirë, e thashë edhe pak më parë që Shqipëria ka ardhur në një moment, sidomos në këtë moshë tani, 1998, 1999, 2000, 2001, 2002, do ketë shumë lojtarë, pra do ketë pothuajse dy kombëtare dhe trajneri i kombëtares Reja pas dy-tre viteve nuk do dijë kë të marrë dhe do lërë lojtarë shumë të mirë jashtë.

Unë mendoj që me këto moshat e vogla jemi bërë një Francë e vogël që ka aq shumë lojtarë sa lojtarët e mirë nuk i grumbullon fare, pra nuk është se ato lojtarë që nuk kanë ardhur këtë radhë nuk do të jenë në të ardhmen. Ato mund t’i grumbullojë edhe kombëtarja A sepse janë lojtarë shumë cilësorë. Dhe këta janë shumë të mirë, pastaj do zgjedhësh më të mirën, ne ku ta gjejmë që nga gjithë të mirët të zgjedhim më të mirën.

Është një luks për trajnerin por edhe konkurenca i bën mirë, sepse e shoh sa herë që kemi konkurencë në ekip, ata japin gjithmonë më të mirën. Rëndësi ka çfarë jep në fushë. Te kombëtarja mendoj që duhet të fokusohemi vetëm te kombëtarja, nuk më interesojnë emrat se nga kush klub vijnë apo se kush je. Unë të shikoj një javë në stërvitje se sa i përgatitur je dhe në bazë të kësaj unë marr përsipër të përbëj formacionin dhe përgjegjësitë i marr unë.

Bushi, përtej gjithë elozheve për gjithë këtë grup lojtarësh në këto dy ndeshje, ju e njihni mjaft mirë ekipin A dhe skemën. Cili prej këtyre lojtarëve do të mund të zinte vend në formacionin e ekipit A?

– Shumica e lojtarëve të ekipit Shpresa në këtë moment, mund të jenë pretendentë për ekipin kombëtar A. Reja e di më mirë se kush mund të jetë më i dobishmi në këto momente.

– 8 gola në dy ndeshje. Mund të themi se janë karakteristikat e lojtarëve që ju drejtoni, janë karakteristikat sulmuese apo janë skemat që ju përdorni me karakter sulmues, duke parë se kombëtarja A vuajti në sfidën e fundit të gjente golin ndërkohë që ekipi i shpresave në dy ndeshje shënon dy gola. Janë skemat që ju përdorni apo karakteristikat e këtyre lojtarëve që e gjejnë më shpejt rrugën e rrjetës?

– Më e rëndësishme është që një trajner t’i gjejë lojtarit vendin aty ku ai jep maksimumin, aty ku ai luan më mirë. Jemi munduar ta bëjmë këtë, besoj se e kemi bërë mirë. Por gjithmonë kërkoj që kur topin e ka kundërshtari, ne duhet të jemi 11 veta mbrapa. Por kur ne kemi topin, unë e dua sulmin me 6-7 veta.

Këto varen nga cilësitë e lojtarëve që për momentin këta i kanë, ana fizike, ana taktike, të jetë inteligjent etj. E kemi bërë shumë mirë deri tani, kemi sulmuar me shumë forca, jemi mbrojtur me shumë forca. Po të shikojmë ndeshjen me Austrinë, ne kemi shënuar shumë gola por kemi qëndruar mirë mbrapa. Kemi mbrojtur shumë mirë. Ata meritojnë një falenderim që unë ia kam bërë. Ata dhanë maksimumin, nuk është e thjeshtë të përballosh një Austri me lojtarë të klasit të lartë kurse këta ishin më të vegjël sepse janë datëlindje 2000, 2001 shumica dhe dhanë maksimumin dhe i mundën thellësisht.

Ka ndryshuar perceptimi i Bushit pas këtyre dy ndeshjeve dhe duke parë këto rezultate, deri ku mund të shkojë kombëtarja e 21 vjeçarëve?

– Lojtarë shumë cilësorë që kemi ne, Kallaku, Vrioni, edhe dy ndeshje janë, vjen një brez tjetër. Pothuajse 70-80% e ekipit që luajti dje, do të luajë edhe sezonin tjetër dhe nuk mund të bësh një plan afatgjatë me këta lojtarë se ku do të shkojnë.

Ne thjesht marrim më të mirën e momentit, i lëmë që ata të luajnë lirshëm, të shprehin ato mundësi që kanë, të marrin emocion, të kënaqen, të argëtohen që kur të shkojnë në Kombëtaren A, ata të jenë gati. Dhe në Kombëtaren A kemi tani gati 13-14 lojtarë që kanë ardhur nga ekipi i shpresave, 2-3 vitet e fundit.