Një manifestim sportiv më rastin e festave është organizuar në Durrës me shumë fëmijë, mes të cilëve edhe jo pak vajza të moshës U-9 dhe U-11, në një aktivitet të përbashkët, organizuar nga Shoqata “Vllaznimi” dhe Zyra Rajonale e FSHF-së në Durrës.
Në një ditë të tillë të mbushur me shumë futboll morën pjesë 36 ekipe nga të gjitha trevat shqiptare, ku 30 ekipe ishin me djem të moshes U-9, U-11 dhe 6 skuadra të tjera ishin me femra. Në këtë ditë me një specifikë të veçantë morën pjesë ekipe nga Presheva, Mali i zi, Kosova, Maqedonia,Ulqini, Kumanova si dhe nga Shqiperia. Mes tyre këta fëmijë u ndeshën në 90 ndeshje në fusha të vogla në formatin (6×6). Një garë e cila bashkoi fëmijë me futbollin nga të gjitha trevat, dhe ku dëshira për këtë sport ishte e jashtëzakonshme. Ndeshje të shpejta për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse, në kuadër të festave të fund nëntorit dhe ku për të gjithë pjesëmarrësit u ndanë kupat përkatëse të pjesëmarrjes. Nënprefekti i qytetit të Durrësit, z.Jani Tata, Drejtori i kolegjit “Turgut Ozal” z.Tuncer Ciryaki, përfaqësues dhe bashkëpuntorë të Shoqatës sportive “Olimpik Durres”, përfaqësuesi i Komunës Preshevë, z.Sherif Jonuzi, apo edhe shumë të tjerë ishin së bashku me fëmijët në një manifestim të tillë që do të pasojë me shumë e shumë të tjerë në vijim, për të bashkuar me futbollin çdo fëmijë.

















