Duka: Zhvillimi i futbollit, duhen incentiva dhe reforma ligjore - FSHF

Duka: Zhvillimi i futbollit, duhen incentiva dhe reforma ligjore

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka komentuar vendimin e klubeve të Kategorisë Superiore për të bojkotuar kampionatin dhe kërkesat që Liga Profesioniste e Futbollit i ka drejtuar qeverisë. I ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, kreu i qeverisë së futbollit ka shpjeguar problematikat e klubeve dhe kërkesat që i janë drejtuar Kryeministrit Rama. Gjithashtu, Presidenti Duka foli edhe për objektivat e Kombëtares dhe si e shikon të ardhmen e skuadrës kuqezi.

– Zoti Duka, çfarë po ndodh?

– Faktikisht kjo nuk është një rrufe në qiell të hapur, një bojkot, nuk është një tekë e presidentëve, por është një zhvillim i hershëm…

– Nuk ka një kampionat futbolli, duhet të jemi vendi i vetëm që nuk ka kampionat futbolli për momentin.

– Asnjë nuk e dëshiron, as vetë presidentët që e kanë shpallur bojkotin, aq më pak unë dhe aq më tepër tifozët, por bojkoti ka qenë si mjeti i fundit për të sensibilizuar qeverinë për të mbajtur premtimet e dhëna, për të krijuar një shtrat ligjor të domosdoshëm për zhvillimin e futbollit, për ta kthyer futbollin në një ekonomi, e cila të prodhojë dhe të mbajë veten. Nuk pretendohet për gjëra shumë të mëdha, madje nuk pretendohet që të mbahen 12 premtime të Kryeministrit në mars 2019, por vetëm 4 nga ato që konsiderohen si një shprehje e vullnetit për t’i hapur rrugë ndryshimeve ligjore dhe incentivuese për zhvillimin e futbollit.

Çfarë po ndodh z. Duka, çfarë kërkohet?

– Ajo që po ndodh është se kërkohen disa ndryshime ligjore apo incentiva, të cilët ta bëjnë futbollin të mundur për t’u zhvilluar, jo për ta kthyer në luks.

– Kam këtu katër kërkesat që janë bërë nga klubet. A mund të m’i shpjegosh pak a shumë? Miratimin e një ligji për sponsorizimin sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt real mbi ekonominë e futbollit. Çfarë domethënë ligj për sponsorizimet?

– E gjithë Europa ka ligje, që incentivojnë apo lehtësojnë barrën fiskale të atyre bizneseve që sponsorizojnë në sport apo edhe në fusha të tjera. Shqipëria ka një ligj sponsorizimesh që nga viti 1994, një ligj i cili nuk ka funksionuar dhe nga 1994-a deri në 2019-n ka prodhuar 0 lekë të sponsorizuara në futboll, sepse nuk nxit njeri. Ne kemi propozuar më shumë se sa një skemë. Megjithatë, qeveria shqiptare le të marrë dhe të implementojë njërën nga ato.

Le të implementojë një ligj të Gjermanisë, apo një të Kosovës, apo një të Hungarisë. Ai i Hungarisë është shumë më i përparuar sepse lejon deduktimin nga taksat në një nivel shumë më të lartë deri në 80%. Kjo do të thotë, që jo vetëm një president futbolli, por çdo lloj biznesi, i cili vendos të sponsorizojë një aktivitet sportiv t’i zbritet nga taksat dhe kjo deri në një masë të caktuar. Ne nuk themi që 80% të taksave të shkojnë në sport, por një nivel 30%, ose maksimali 30% dhe të gjitha këto duhet të jenë të rregulluara nëpërmjet filtrave që çdo lloj shteti vendos për të eliminuar risqet.

Çfarë propozimesh ka bërë qeveria?

– Ajo që ka bërë qeveria është se ligjin e 1994-s e ka shumëzuar me 3. Pra një ligj që ka prodhuar 0 deri dje, po ta shumëzosh me 3, bëjnë 0. Ligji i sponsorizimit që ka miratuar qeveria i jep të drejtën një biznesi që prodhon më shumë se sa 100 milionë lekë të reja fitim, apo 100 mijë euro fitim, të sponsorizojë deri në 5% të fitimit dhe këtë sponsorizim ia njeh si shpenzim të zbritshëm në trefishin e saj. Por në finale, ajo që do paguante në taksa biznesi sponsorizues është e njëjta gjë më atë që do paguante nëse nuk do sponsorizonte.

Ajo që themi ne është që ne të krijojmë një bazë ligjore të shëndoshë për t’i rregulluar të gjitha. Dhe nëse nuk fillojmë, nuk do t’i bëjmë kurrë. Do të vazhdojmë të zvarritemi. Kosova ka miratuar një ligj për sponsorizimet që i njeh të drejtat biznesit, 30% të tatimit ta sponsorizojë në sport. Ajo që ka miratuar qeveria është një gjë që prodhon 0, sepse në finale nuk nxit njeri që ta bëjë këtë. Nga ana tjetër, nëse do ta konsiderojmë atë ligj që qeveria ka në fuqi, sikur do funksiononte, kjo që ne kërkojmë, në vlera është e barabartë me atë shifër.

Pra, nuk ndryshon buxheti i mundshëm. Ajo që teknicienët e Ministrisë së Financave e trumbetojnë si sukses dhe thonë që do shkojnë kaq para në sport, të njëjtën shifër propozojmë edhe ne, por të jetë më e lehtë, më e prekshme dhe më funksionale, që vërtetë ta ndihmojë zhvillimin e sportit.

– E dyta, përfshirja e të gjithë aktiviteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6% si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.

– Kjo ka një ndikim në buxhet, fare të pallogaritshëm, por në buxhetet e sportit që vuan nga buxhete shumë minimale, është një gjë që do ta incentivonte për të shkuar përpara. Të gjitha bizneset të cilat subvencionohen apo i ulen TVSH-ja apo taksat, bëhen me qëllim, sepse e kanë të pamundur mbijetesën dhe të pamundur riprodhimin e tyre.

– Po zerimin e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve. Me çfarë të drejte, kur çdo qytetar që ka vuajtur nga Covid, që ka pasur pbobleme, çdo biznes mund të thotë zeroji taksat që t’i japim frymëmarrje ekonomisë, zeroji gjobat, zeroji kamatëvonesat….

– Kjo kërkesë është për të zeruar kamatëvonesat dhe gjobat që kanë disa klube futbolli dhe që është një shifër shumë e vogël, më e vogël sesa 2 milionë euro.

Kjo qeveri që është në pushtet ka falur gjobat dhe kamatëvonesat për faturat e energjisë elektrike. Të njëjtën gjë mund të bëjë edhe këtu, mund edhe të mos e bëjë, por premtimi i qeverisë ka qenë akoma edhe më shumë: të falë edhe taksat. Ne nuk themi që të falë taksat. Është një detyrim i krijuar pothuajse nga vetë qeveria, sepse klubet janë privatizuar nga bashkitë dhe bashkia i ka lënë këto detyrime klubeve që janë sot privat. Tani, mirë që ky privat që e ka blerë grupin do t’i shlyejë borxhet që i ka lënë për shembull Bashkia e Tiranës, por pse duhet të paguajë edhe taksat, që nuk ka paguar bashkia e Tiranës?

– Zgjatjen e efekteve të përjashtimit mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vjet. Çfarë domethënë kjo?

– Do të thotë që qeveria ka miratuar nga gjithë 12 premtimet, ka prekur 2 pika. Ka miratuar kodin penal për ata që shkelin fushën e lojës dhe ka miratuar një përjashtim të tatimit mbi të ardhurave për futbollisët për një periudhë dyvjeçare. Kjo periudhë ne themi të shtrihet për një kohë më të gjatë, për dy arsye: e para, gjatë kësaj periudhe bëhet një reformim total apo një formalizim total i sportit dhe në fund të fundit, për pamundësinë e klubeve për të paguar pagat e futbollistëve, që janë disi të larta dhe një tatim mbi të ardhurat.

Pagat e futbollistëve janë të niveleve të ndryshme, mund të variojnë nga 200 euro deri në 6-7 mijë euro.

– Ndërkohë që Kryeministri është shprehur se nuk ka asnjë futbollist të siguruar ose janë siguruar me pagën minimale të mundshme. Pra, a janë të siguruar si pastrues rrugës apo sanitarë? Është apo jo e vërtëtë?

Kjo është të flasësh nëpër studio televizive pa asnjë argument. Unë po jap vetëm një argument Kryeministrit, që i vëllai i tij është i siguruar për 5 milionë lekë në muaj. Është nga njerëzit që paguhen nga klubet sportive dhe si ai ka shumë të tjerë. Në të njëjtën kohë, Kryeministri ka të drejtë, sepse ka shumë të tjerë që deklarojnë më pak se sa paguajnë realisht.

Unë përfaqësoj futbollin dhe them se çfarë duhet dhe çfarë mendohet për ta përmirësuar futbollin, për ta ndihmuar atë për t’u kthyer dhe ai në një biznes që të prodhojë. Jemi dëshmitarë të një tranzicioni 30-vjeçar që futbolli, drejtuesit e klubeve vetëm kanë lodhur ekonomitë e tyre familjare apo të bizneseve të tyre, sepse nuk kanë pasur mundësi të riprodhojnë. Atëherë të krijojmë një bazë ligjore, të krijojmë disa incentiva dhe kjo ulje e taksave, apo falje e tatimit mbi të ardhurave për një periudhë të caktuar, periudhë në të cilën i gjithë futbolli të reformohet sipas një strategjie të përbashkët që mund të bëjmë, do ta ndihmonte zhvillimin e tij.

– Zoti Duka, a keni folur me Kryeministrin për këtë çështje, ju personalisht?

– Më shumë se sa një herë. Gjithmonë ka qenë optimist që të gjitha ne këto do t’i bëjmë, por edhe në fillim të edicionit të kaluar, klubet kanë qenë në të njëjtin qëndrim, që nuk donin të fillonin kampionatin pa iu përmbushur këto premtime të Kryeministrit. Për t’u kthyer tek ajo e para, Kryeministri në mars të 2019 ka thënë që ne do të heqim tatimin mbi të ardhurat e futbollistëve për 5-7-10 vjet, pastaj vendimi doli për 2.

Kështu që, në atë kohë, nën presionin e klubeve përsëri jam takuar me Kryeministrin dhe me aktorë të tjerë të qeverisë për t’i thënë që premtimet duhen realizuar, sepse futbolli është në ngërç dhe në krizë. Kam garantuar klubet që këto gjëra do ndodhin në shtator, gjëra që nuk ndodhën, madje edhe për faljen jo vetëm të kamatëvonesave dhe taksave, por edhe të principalit më është premtuar nga Kryeministri. Tani jemi në këtë situatë. Unë uroj që do të gjejmë një zgjidhje.

Sot kemi qenë të ftuar në mbledhjen e Ligës Profesioniste unë edhe deputeti Fidel Ylli dhe fatmirësisht nuk kishte asnjë kundërshtar në tavolinë. Edhe Fidel Ylii ishte në të njëjtin mendim me klubet e futbollit. Shprehja e tij në tavolinë ishte që të gjitha kërkesat janë të drejta, madje janë pak, sepse që të kemi një futboll ashtu siç duhet për fëmijët tanë, duhet të bëjmë akoma më shumë dhe ne këto do t’i vëmë në rrugët e zgjidhjes. Z.Ylli premtoi se Kryeministri ka të gjithë dëshirën dhe vullnetin për t’i zgjidhur apo për t’i dhënë një përgjigje qoftë edhe argumentuese, edhe nëse të jetë negative.

Nëse vullneti është vërtetë ashtu siç thotë z.Ylli, siç e deklaroi edhe Edvin Libohova sot dhe nesër do t’i rishikojnë, sepse është një kërkesë për ta rikthyer në pikën e negociatave, do të shkojnë relacionet e ligjeve, qoftë edhe njëlloj fizibiliteti apo llogarie e tyre dhe nëse është vullneti, brenda javës mund të bëhen projektligjet.

Nëse bëhen projektligjet edhe presidentët e ligës kanë një garanci se kjo ka hyrë në rrugën e zgjidhjes. Nëse nuk bëhen projektligjet, atëherë bojkoti do të vazhdojë. Më mirë të fillojmë një kampionat të shëndetshëm, një kampionat që do rezistojë më shumë, një kampionat që do prodhojë më shumë se sa të luajmë edhe dy javë të çala.

– Ndeshja e fundit e kombëtares ishte zhgënjyese, më shumë se zhgënjyese…

– Nuk është hera e parë që ndodh me ekipe kur kundërshtarin nuk e vlerësojnë në nivelin e duhur dhe për mendimin tim kjo është diferenca mes skuadrave të mëdha dhe të vogla. Ne, mesa duket jemi ende një skuadër e vogël, sepse nuk dimë të vlerësojmë kundërshtarin dhe pikërisht ky ishte rasti i Lituanisë, që futbollistët tanë, stafi, të gjithë ne, menduam se janë më të vegjël se ne. Por faktikisht fusha tregoi që janë më të mëdhenj se ne.

– Pati një shpërfytyrim i kombëtares nga ndeshja e Bjellorusisë te Lituania, arsyeja. Çfarë ndodhi?

– Vetëkënaqësi.

– Ka patur komente në rrjetet sociale që flasin edhe për një lënie të ndeshjes?

– Kjo është sëmundje e vjetër shqiptare, as që e llogaris në atë lloj ekipi, kam besim të plotë tek ekipi, te 100% e ekipit, që nuk ndodh ky fenomen tek ekipi kombëtar.

– Po në kampionatin shqiptar ekziston si fenomen?

Padyshim që ka ekzistuar, është minimizuar, në kampionat pothuajse nuk ekziston, në ndonjë ndeshje kupe në edicionin e kaluar, edhe ka ndodhur.

Cila është e ardhmja e Kombëtares shqiptare? Si e shihni, jeni optimistë, që mund të arrijmë diçka apo shihni për edicionin e ardhshëm?

– Objektivi kryesor duhet të jetë 2024. Objektivi ynë i merituar, duke parë brezin qoftë të U-21, qoftë edhe lojtarët me ekipin e parë, duken premtues që do të kemi një ekip të mirë për t’u kualifikuar në 2024. Kjo nuk do të thotë që ne do të shkojmë për turizëm në Nations League apo në eliminatoret e Botërorit. Në Nations League mbetet objektivi për të qenë në vend të parë. Humbja në Tiranë e ka ndërlikuar shumë situatën, por jemi katër ekipe me pikë të barabarta, të katërt kemi bërë të njëjtën gjë, kemi fituar jashtë dhe kemi humbur në shtëpi. Botërori është vërtetë i vështirë, sepse duhet të jesh i pari në grup, patjetër që duhet të bëjmë më të mirën, por objektivi ynë duhet të mbetet 2024.

– Ndërkohë, kemi një brez të ri të mirë, pra që premton? Dhe i kemi në Shqipëri apo vazhdojmë ta kemi rezervuarin jashtë Shqipërisë?

– Jo vetëm ato që luajnë në ekipin e parë, të cilët kanë ardhur nga Shpresat, por janë edhe disa të tjerë, katër apo pesë futbollistë që mund të kalojnë në muajin tetor, do të ftohen nga trajneri i ekipit të parë për të qenë pjesë e ekipit dhe për t’u bashkuar, për t’u ambientuar dhe për të qenë në perspektivë kjo skuadër që unë them për 2024. Nëse do shohim dy ndeshjet e fundit të ekipit Shpresa, me dy rezultate shumë të mira në Austri dhe kundër Andorrës, por jo vetëm me rezultate por edhe me lojëra të mira dhe me futbollistë që vërtetë spikatnin, këto do të ftohen në ekipin e parë. Kjo të mbush me një lloj optimizmi që ne vërtetë jemi pretendentë realë.

– Ju falënderoj që ishit në studio për të sqaruar atë që po ndodh. Shpresoj që të zgjidhet sa më shpejt ky ngërç dhe ekipet të zbresin në fushë, edhe pse COVI-19 i ka lënë stadiumet e zbrazura dhe nuk është njësoj të luash në një stadium të zbrazur, por gjithsesi më mirë në një kampionat se sa pa kampionatin fare.

– Bojkoti nuk i shërben askujt. Bojkoti sidomos në sport është shumë i dëmshëm, por të gjithë ne duhet të bëjmë maksimumin, qoftë klubet, qoftë dhe qeveria, të bëjmë nga një sforco dhe të gjejmë emëruesin e përbashkët dhe të kthejmë futbollin në fushë dhe më pas edhe spektatorët që na mungojnë shumë.