Sot, në ditën e tretë “gjermane”, përgatitja e kombëtares shqiptare të futbollit, ka vazhduar në mënyrën më intensive të mundshme. Trajneri Reja dhe stafi i tij kanë zbarkuar në fushën e FC Oberstedten, vetem 12 minuta larg hotelit dhe në orën dhjetë ka startuar një stërvitje intensive e skuadrës. Ushtrimet fizike dhe ngarkesa janë gërshetuar me shume elementë taktikë, të cilët kanë shoqëruar edhe stërvitjen e djeshme. Për më shumë se një orë, ekipi ka zbatuar të gjithë programin stërvitor të përgatitur me kujdes nga stafi dhe trajneri.
Pas drekës, ekipi është ngjitur nëpër dhoma për të pushuar. Në orën 14.00, është zhvilluar konferenca e zakonshme për shtyp, në të cilën kanë folur sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mbrojtësi Arlind Ajeti, dy ndër futbollistët më me eksperiencë të kombëtares, të cilët për shkaqe dëmtimesh kanë munguar një periudhë të gjatë. Ata u shprehën optimistë për gjendjen e skuadrës dhe deklaruan, se duke u treguar të kujdesshëm e duke dhënë makimumin në fushë, rezultati pozitiv mund të arrihet në ndeshjen e Rejkjavikut.
Ndërkohë i gjithë stafi teknik, nën drejtimin e trajnerit Reja, kanë zhvilluar për rreth 45 minuta pas drekës, një mbledhje konsultë, në të cilën kanë diskutuar për gjendjen e skuadrës si dhe zgjidhjet taktike që do të zbardhen në stërvitjet e ardhëshme.
Në orën 17.00, skuadra ka zbritur përsëri në fushën sportive të “FC Oberstedten”, për të zhvilluar stërvitjen e dytë për sot. Gjatë kësaj stërvitjeje që ka zgjatur, kryesisht janë aplikuar skema taktike dhe mënyra të ndryshme loje. Stërvitja ka zgjatur plot 75 minuta.

















