Certificate in Football Management së shpejti në Shqipëri

UEFA CFM (Certificate in Football Management) është një program shumë i nevojshëm për këdo që punon në një organizatë futbollistike që dëshiron të rrisë nivelin e menaxhimit dhe performancës. Ky certifikim në menaxhim futbolli ofrohet nga UEFA për përfaqësuesit e federatave anëtare si edhe për përfaqësues të futbollit në nivele të ndryshme.

CFM (Certificate in Football Management) synon të zhvillojë njohuritë teorike dhe praktike të një menaxheri, të rrisë performancën e një drejtuesi të lartë dhe ta afrojë atë me praktikat më të mira të futbollit europian. Pjesëmarrësit marrin leksione nga pedagogë nga universitete të rëndësishme europiane si edhe menaxherë të mëdhenj të botës së futbollit e drejtues të UEFA-s.  Ky seminar do të ofrohet në vitin 2021 nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n dhe në të do të marrin pjesë përfaqësues të FSHF, klubeve anëtare si edhe përfaqësues nga federata homologe që do të trajnohen nga lektorë ndërkombëtarë. Një besim dhe një përgjegjësi e madhe për FSHF që vlerësohet për rritjen e vazhdueshme që ka pasur vitet e fundit në drejtim të menaxhimit. CFM organizohet në tre seminare direkte me pedagogë në auditor dhe 6 module për kandidatët zhvillohen në e-learning në lidhje me organizimin e futbollit, menaxhimit strategjik dhe operativ, sponsorizimet, marketingu, komunikimi dhe media, eventet dhe menaxhimi i vullnetarëve.

Në këtë edicion të CFM, që filloi javën e shkuar në Paris, FSHF është përfaqësuar me dy drejtues, Erand Ibrahimin nga Sektori Marrëdhënieve Institucionale dhe Edlira Jaupaj nga Sektori i Burimeve Njerëzore.