Bylis shpallet kampion i Kategorisë së Parë - FSHF

Bylis shpallet kampion i Kategorisë së Parë

Është ekipi i Bylisit fituesi i kampionatit për Kategorinë e Parë, sezoni 2018-2019, pasi ka fituar me rezultatin 3-1 ndaj Vllaznisë, në finalen e kësaj kategorie të luajtur sot në orën 16:00.

Kjo finale mjaft e luftuar midis dy ekipeve fituese në dy grupet e Kategorisë së parë u zhvillua në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit. Golin e parë e gjeti ekipi i Vllaznisë me anë të futbollistit Ignat ’17 dhe pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0 për shkodranët. Pjesa e dytë ka folur për ekipin e Bylisit, i cili shënoi plot 3 herë. Golin e barazimit për Bylisin e ka shënuar në minutën e 48-të Antoni, dhe më pas Bajramaj e Ujka në minutat 61 dhe 83 përkatësisht, i dhanë fitoren e kampionit ekipit të tyre. Të dyja finalistet edicionin e ardhshëm do të jenë pjesë e Kategorisë Superiore.

Medaljet dhe trofeun fituesve ia ka dorëzuar zv.Presidenti i FSHF-së, z.Lutfi Nuri sëbashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, z.Enkelejd Alibeaj.