Broja & Çekiçi: Urojmë të debutojmë e të ndihmojmë ekipin - FSHF

Broja & Çekiçi: Urojmë të debutojmë e të ndihmojmë ekipin

Dy futbollistët më të rinj të Kombëtares shqiptare, Armando Broja dhe Endri Çekici kanë dalë sot në konferencën e radhës për shtyp të organizuar në prag të dy ndeshjeve të Shqipërisë ndaj Bjellorusisë dhe Lituanisë të vlefshme për Ligën e Kombeve (Nations League).
Në përgjigjet e dhëna për gazetarët, të dy lojtarët kuqezi nuk i fshehën emocionet e të qenit të grumbulluar me ekipin e Kombëtaren A.
Armando Broja u shpreh i lumtur për ardhjen në Kombëtare si dhe foli për mungesën në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, marrëdhëniet me ekipin dhe për objektivat në sezonin e ardhshëm. Ndërsa, Endri Çekici komentoi ftesën e ardhur së fundmi nga trajneri Reja dhe tregoi sekretin e formës me klubin aktual.

• Keni bërë një kalim këtë merkato verore, nga Premier League, Chelsea, te Vitesse. Sa mendoni që do t’i shërbesh një hap mbrapa ndoshta për të bërë dy të tjerë para më pas, qoftë edhe te kombëtarja?
Lëviza në Hollandë, te Vitesse për një vit sepse tek ekipi i parë i Chelsea-t ka firmosur edhe një sulmues tjetër. Është mirë edhe për mua sepse jam i vogël akoma, 18 vjeç dhe është mirë për të luajtur dy ndeshje me ekipin e parë. Ika në Holandë për të luajtur me Vitessen në ekipin e parë dhe stërvitja është duke shkuar shumë mirë dhe jam aty për një vit. Nëse paraqitem mirë aty, kthehem te Chelsea dhe kam mundësi të hyj në ekip të parë të dhe të luaj edhe ndeshje në Premier League.

• Armando, 18 vjeç në kombëtaren A, emocionet duhet të jenë shumë të mëdha për këtë ftesë.
Po, emocionet janë shumë të mëdhaja, siç e thashë, akoma jam i vogël, 18 vjeç dhe më ka thirrur ekipi A dhe jam shumë i kënaqur. Lojtarët janë shumë të mirë.

• Mes kënaqësisë që të dha ftesa nga trajneri Reja, erdhi surpriza që na befasoi të gjithëve, do të mungosh në ndeshjen me Bjellorusinë për shkak të një kartoni të kuq që ke marrë me kombëtaret e moshave. Besoj, ka pak zhgënjim..
Po nuk luaj ndeshjen e parë se kam marrë karton të kuq me U-19, por është mirë se po rri me ekipin, po stërvitem, po rri me çunat. Janë shumë të mirë dhe uroj që trajneri të më fusë në ndeshjen e dytë ndonjë minutë, por edhe nëse nuk futem është mirë të jem me ekipin, të mësoj gjëra.

• Armando, ti ke dëshirën të luash pavarësisht se thua se je shumë i ri. E ndjen veten të gatshëm të kesh një pozicion?
Ne stërvitemi dhe kuptohemi bashkë me lojtarët. Uroj të futem ndeshjen e dytë dhe nëse nuk futem, është një eksperiencë e mirë të jesh me ekipin A, por nëse stërvitem dhe luaj mirë, them se mund të luaj disa minuta.

• Armando, zakonisht për një lojtar të ri që sapo thirret në përfaqësuese, është një ëndërr që realizohet besoj për të gjithë. Do mjaftohesh vetëm me faktin e këtij grumbullimi, apo edhe ti, si ata të rinjtë që vijnë, do synosh minutat e tua?
Kur janë të vegjël të gjithë fillojnë 10 minuta ndeshje, 20 minuta ndeshje. Por edhe për mua është shumë kënaqësi që jam pjesë e ekipit të parë edhe uroj të luaj disa minuta dhe t’i tregoj trajnerit se jam lojtar i mirë dhe mund të më fusë edhe më shumë në grumbullimet dhe ndeshjet e tjera. Këtë kam si qëllim që të realizoj.

• Balaj, Cikalleshi, Sadiku. Besoj se ti i ke ndjekur, kujt mendon se i ngjan më shumë dhe a mendon se ti mund t’i parakalosh këta të tre, për të luajtur ti dhe për t’u kthyer ti në pikë referimi në përfaqësuese?
Të tre janë lojtarë të mirë. Kanë bërë shumë për Shqipërinë dhe i njoh mirë lojtarët, janë djem të mirë. Por unë jam një lojtar ndryshe dhe luaj futboll ndryshe, jam i shpejtë si lojtar dhe mund të futem pas mbrojtësve.

• Mendon se të ndihmon edhe aspekti komercial? Sepse një lojtar i cili ka luajtur te Chelsea dhe ka debutuar me skuadrën e parë, normalisht që shihet me një sy më pozitiv sesa lojtarët e tjerë që sado që kanë dhënë dhe kanë shënuar gjatë gjithë sezonit me klubet përkatëse si Balaj apo edhe Sadiu, nuk luajnë në një ligë kaq të rëndësishme sa ç’ke luajtur ti.

Ata që vijnë nga ekipet e mëdha, njerëzit shpesh i shohin edhe si më të mëdhenj. Por unë them se ata kanë bërë më shumë se unë tek ekipi i parë, kanë respekt dhe unë duhet t’i tregoj trajnerit dhe lojtarëve se mund të jem dhe mund të luaj me këtë kombëtare, me këtë skuadër.

• Cili do të jetë objektivi yt për këtë sezon te Vitesse dhe sa beson që do të rikthehesh te Chelsea për të qenë protagonist pastaj në Premier League?
Në Hollandë kam qejf të bëj shumë gola me Vitessen dhe nëse paraqitem mirë mund të rikthehem te Chelsea dhe të futem në skuadrën e parë dhe të luaj ndeshje në Premier League, FA Cup apo ndonjë turne tjetër.

• Endri, mirëseerdhe në kombëtare. E ke pritur shumë ftesën nga kombëtarja A dhe gjithë opinion ka kërkuar që Endri të jetë. Si ndihesh për këtë grumbullim? Çfarë pret nga ky grumbullim i parë nga trajneri?
Siç e thatë edhe ju, është një ftesë që kisha vite që e prisja dhe është një ëndërr e kthyer realitet. Por tani që ëndrra u plotësua, besoj se duhet të kem ëndrra akoma edhe më të mëdha dhe duke filluar që nga dita e djeshme që iu bashkova ekipit duhet ta tregoj veten se përse kam ardhur këtu edhe që trajneri të shikojë nëse mund të mbështetet te mua apo jo. Unë jam i lumtur që jam këtu dhe shpresoj të jap maksimumin.

• Keni thënë që keni marrë një ftesë për ndeshjet miqësore të cilat do të luheshin në mars. Megjithatë, në ndeshjet e Nations League, nuk morët një ftesë paraprakisht. Pra, si pasojë e ndryshimeve në listë, erdhi edhe ftesa për ju. U ndjetë pak i zhgënjyer në fillim?

Në fillim, më erdhi te lista e pritjes, por në asnjë moment nuk e humba besimin. E rëndësishme ishte që po vija pas një sezoni të mirë dhe me ekipin e fillova mirë sërish sezonin dhe isha i bindur që në një moment do vinte ftesa.

• Përsa i përket formës që po tregon në skuadrën tënde, ne kemi parë edhe lojëra të mira, edhe assist, kemi parë edhe gola. Si e shpjegon këtë, ndjehesh kaq mirë atje?

Që nga momenti që fillova të luaja atje, më dhanë mbështetje maksimale drejtuesit edhe trajneri. Normalisht edhe psikologjikisht ndjehesh më i lirshëm dhe besoj se kam arritur të tregoj potencialin tim në atë ekip dhe arsyeja kryesore është psikologjia.

• Endri, kam parë një foto në profilin tuaj në Instagram, me Laçin, Baren dhe Manaj. Manaj ishte ai që e provoi i parë, më pas edhe ju të tjerët. Kur ishit te përfaqësuesja e 21 vjeçarëve, a ju shkonte ndonjëherë në mendje që të katërt po bashkë do të ishit në kombëtaren e parë në grup?
Edhe atëherë tek U-21 kishim një ekip mjaft të mirë dhe të gjithë ne kishim ëndërr të luanim për kombëtaren A dhe ja ku jemi sot edhe pse ndoshta nuk na e priste mendja që do mblidhemi së bashku por secili besoj se në vetvete e kishte atë dëshirë dhe ëndërr.

• Ka ndodhur me lojtarë që janë thirrur në përfaqësuese, ndoshta nuk kanë qenë në plan që në momentin e parë por ka ndodhur diçka për shkak të grumbullimit të një apo dy lojtarëve, kanë ardhur në përfaqësuese, si lojtarë rezervë. Por ka ndodhur që po këta lojtarë, në një mënyrë a në një tjetër, e kanë bindur më pas trajnerin dhe janë kthyer në titullarë të pazëvendësueshëm. Mendon që mund të jetë edhe rasti yt ky?
Unë nuk e shikoj fare ashtu, në momentin që jam pjesë e ekipit, qëllimi im është të jap vetëm maksimumin dhe shpresoj natyrisht që të marr minuta në këto ndeshje dhe të ndihmoj ekipin.

• Shpreson të marrësh minuta por besoj që më emocionuese për ty do ishte të shënoje gol. E festive me gol ftesën nga trajneri Reja, je mësuar të shënosh shumë gola te kombëtarja e 21 vjeçarëve ku ishe edhe një prej elementëve kryesorë. Kur mendon se mund të vijë ky goli?
Si fillim, besoj se qëllimi kryesor është që të fillloj të marr minuta dhe pastaj hap pas hapi, shpresoj që dhe goli të vijë.