Balaj dhe Ramadani: Të gjithë për një qëllim, fitore! - FSHF

Balaj dhe Ramadani: Të gjithë për një qëllim, fitore!

Dy lojtarët e Kombëtares shqiptare, Bekim Balaj dhe Ylber Ramadani kanë dalë sot në një konferencë për mediat, para ndeshjeve zyrtare të Ligës së Kombeve ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, sulmuesi Balaj foli për ndeshjen miqësore me Kosovën, paraqitjen e skuadrës dhe theksoi se rezultati i vetëm që mendojnë në grup është fitorja në dy ndeshjet e radhës. Ndërsa mesfushori Ramadani u shpreh se të dyja ndeshjet janë të rëndësishme, për mungesat në skuadër dhe për objektivin e ekipit në këto dy ndeshje. Gjithashtu, ai foli edhe për ndeshjen me Kosovën, duke e vlerësuar përfaqësuesen dhe lojtarët e Kosovës.- Bekim, shënove në miqësore. Si ndjeheni ju për suksesin që u arrit por dhe në tërësi si e vlerësoni paraqitjen e skuadrës?

– Siç thatë edhe ju, kënaqësi gjithmonë që të shënosh për ekipin kombëtar dhe mendoj që testi i radhës që ishte me Kosovën, ishte një test serioz para dy sfidave që na presin. Bëmë një paraqitje të mirë mund të them dhe realisht jemi gati për këto dy sfida.

– Sa i përket pjesës së sulmit, ju vetë, keni ndonjë preferencë? Me Uzunin, si ndiheshit?

– Të them të drejtën, nuk është se kemi pasur ndonjëherë preference. Jemi të gjithë për një qëllim, e rëndësishme është që ekipi të bëjë mirë dhe ekipi të arrijë fitoren. Pastaj se me kë luajmë apo kush luan, atë e vendos trajneri.

– Sa e ka ndihmuar skuadrën kjo miqësore për dy sfidat e tjera? Duke pasur parasysh se edhe fituam, morali ishte më mirë se sa ishte.

–  Sigurisht. Gjithmonë ndeshjet para sfidave zyrtare janë të rëndësishme pasi shikon pak a shumë se çfarë duhet të ndryshosh apo shikon edhe formën e lojtarëve trajneri, atë që dhe kërkoi nga kjo ndeshje miqësore. Idetë mendoj se i ka të qarta dhe gjithçka është gati për këto dy sfida.

– Matematika besoj se na e lejon, për të arritur vendin e parë në grup. Ndjen presion ekipi kombëtar, kur kemi të tilla ndeshje që na duhet patjetër fitorja?

– Ndoshta jemi mësuar pak të surprizojmë me rezultatet tona, ndoshta kur nuk kemi qenë favoritë kemi bërë mirë dhe në këtë rast siç thua ti, mendohet një farë presioni pasi rezultati i vetëm që mendojmë dhe presim të gjithë është fitorja. Besoj që ekipi është rritur dhe duke ditur dhe nivelin e kundërshtarëve që kemi luajtur, mendoj që të gjithë e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë për të arritur fitoren.

– Ramadani, kë do të vlerësoni si përballjen më të vështirë nga këto që kanë ngelur ende? Përballjen me Kazakistanin, apo atë me Bjellorusinë?

– Unë mendoj që të dyja ndeshjet janë të rëndësishme për ne sepse siç e thamë dhe më parë, është objektivi ynë për të kapur vendin e parë. Dhe duhet t’i fitojmë patjetër këto dy ndeshje.

– Mendoni që mund të na penalizojë fakti që skuadra nuk i ka të gjithë lojtarët në dispozicion?

– Mendoj që mund të na penalizojnë, por edhe lojtarët që jemi këtu, besoj që jemi shumë lojtarë të mirë dhe mendoj që mund të bëjmë maksimumin për këto dy ndeshjet e tjera.

– E shikon veten të kesh minuta në dy ndeshjet e radhës?

– Normalisht unë këtu kam ardhur për të luajtur, por është trajneri që e vendos. Unë gjithmonë do jap maksimumin në stërvitje, do punoj sa më shumë, pastaj është trajneri që e vendos a do luaj apo jo. Për mua ka rëndësi vetëm të jem këtu.

– A mund të arrihet objektivi duke pasur parasysh që këto dy skuadra ralisht janë nën nivelin tonë, por sfidat e kaluara kanë treguar që ne nuk ishim në nivelin që pretendonim.

– Mendoj që duhet t’iu qasemi seriozisht dhe t’i marrim ndeshjet një nga një. Së pari me Kazakistanin dhe pastaj me Bjellorusinë. Mendoj që mund të dalim me rezultat pozitiv në të dyja ndeshjet.

– E tha dhe pak kolegu, për sa i përket mungesave. Reparti i mbrojtjes te ne vitet e fundit ka qenë i konsoliduar, duke marrë parasysh edhe emrat që vijnë nga një shkollë që vërtetë i jepet rëndësi mbrojtjes, siç është Serie A. Sa do ta penalizojnë skuadrën, duke pasur parasysh mungesat?

– Po mendoj që do na penalizojnë pak. Ka edhe mbrojtës të tjerë dhe ata janë lojtarë të mirë, mendoj që mund t’i zëvendësojnë edhe ata pa problem. Kemi këtu lojtarë të mirë me cilësi të mira dhe mendoj që secili mund ta zëvendësojnë gjithkënd.

– Ndikuar ndoshta edhe nga mungesat trajneri Reja, sa problem është për lojtarët fakti që shpesh kanë ndërrime në skemë?

– Faktikisht mendoj që mundet të kemi, por ne kemi vite me njëri tjetrin dhe jemi komponuar dhe mund të luajmë me njëri-tjetrin pa problem.

– Në ndeshjen e djeshme, a e prisnit atë rezultat?

– Kosova ka një ekip shumë të mirë dhe lojtarë me cilësi shumë të mira por edhe ne luajtëm mirë dje dhe iu qasëm seriozisht dhe mendoj se bëmë një ndeshje shumë të mirë.