Asambleja e Përgjithshme 2019 - FSHF

Asambleja e Përgjithshme 2019

Ditën e sotme në ambjentet e Hotel “Tirana International” është mbajtur Asambleja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Futbollit. Presidenti i FSHF-së, z.Armand Duka paraqiti për të pranishmit raportin e kësaj asambleje:

Të nderuar anëtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit!
E nderuar përfaqësuese e FIFA-s, Heidi Beha!
I nderuar përfaqësues i UEFA-s, Denis Bastari!
I nderuar zoti, zv/ministër, Kostandin Shkurti!
I nderuar Kryetar i Federatës së Kosovës, z. Agim Ademi!
Të nderuar homologë të Federatave dhe institucioneve të tjera!
Të respektuar përfaqësues të medias!
Të dashur miq e të ftuar!
Mirëmëngjes e mirë se keni ardhur sot në asamblenë e federatës sonë të futbollit.
Është kënaqesi për mua që jam përsëri ,këtu, bashkë me ju në këtë mbledhje vjetore pune, në të cilën raportohet e analizohet për punën e vitit 2018, dhe rishtrojmë objektivat për të ardhmen e sigurtë të shoqatës sonë, e akoma më të sigurtë të lojës sonë të dashur Futbollit.
Në raportin për veprimtarinë e Komitetit Ekzekutiv dhe Federatës, ju do të gjeni një material të plotësuar me detaje dhe shifra në raport me aktivitet qe jane zhvilluar gjate ketij viti ne futbollin tonë.
Sigurisht që edhe në vitin 2018 ashtu si dhe ne vitet paraardhës së bashku kemi bërë shume punë për zhvillimin e modernizimin e lojës sonë të dashur.
Investimet kanë vazhduar edhe gjatë këtij viti me ritme Akoma më të larta se më parë, me ndërtime fushash stervitje, rikostruksione ambientesh sportive, investime projekte me ndikime sociale, investime në shkolla e kopshte për edukimin sportivë të femijeve, dhe vazhdon puna në projektet tona madhore , stadiumin kombëtar të cilin presim ta inaugurojme këtë vit dhe shtepia e futbollit e cila do te hapi dyert këtë vit jo vetëm për Administratën e FSHF por për të gjitha ekipet kombëtare.
Garat kombëtare dhe ato amatore e të fëmijëve janë ndjekur me shumë profesionalizem nga zyrtaret e FSHF, pjesëmarresit në to klubet e ekipet e futbollit janë munduar të bëjnë më të mirën , për të pasur një nivel sa më të lartë organizativ e sportiv. Por githsesi nuk kemi shpëtuar nga fenomenet negative si dhuna apo fiksimi i rezultateve.
Përfaqësimi ndërkombëtar sportiv nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive tona. Nations league megjithëse ne qëndruam në ligë nuk dha atë që pritej për ekipin A, gjë që na detyroi të shkarkonim stafin. Ekipet e moshave me maksimumin e përkushtimit nuk kanë arritur rezultatet e duhura. Vlejnë për tu përmendur rezultatet ndërkombëtare politike, të përfaqësimit të federatës sonë dhe të kualifikimit të ekipit kombëtar të Futsallës i cili meriton komplimente.
Financat gjendja vazhdon të jetë pozitive dhe solide, kemi të ardhme të sigurtë. Janë rritur të ardhurat nga sponsorizimet, biletat, reklamat e donacionet. Janë mbajtur nën kontroll shpenzimet.
Edukimi ka qenë një sukses i vitit me trainerët e manaxherët e përgatitur.
Futbolli i fëmijëve me bashkëpunimin me MA , grassroots ka qenë një hap shumë i rëndësishëm dhe një prioritet absolut i joni në këtë vit.

Viti 2018 pa dyshim që na ka përballur me shume sfida, apo vështirësi të tjera, por gjithmonë jemi munduar që të gjejmë zgjidhjet më të mira të mundshme për të gjithë anëtarët tanë.
FSHF, jo vetëm gjatë këtij viti, por gjatë gjithë këtij udhëtimi të përbashket tranzicioni, ka bërë një punë të jashtëzakonshme për zhvillimin e futbollit.

Por të dashur anëtarë, sic e thashë dhe me lart, sfida të reja na presin. Futbolli është një loje e cila vitet e fundit në Shqipëri ka evoluar në mënyrë eksponenciale dhe me hapa gjigand krahasuar dhe me zhvillimin social të shoqërisë tonë. Por gjithashtu është e nevojshme që të përballemi dhe me realitetet e ndryshme futbollistike Europiane.

Ne duhet të përgatitemi për sfida te reja.
Tashmë ka ardhur momenti që të hedhim një tjetër hap cilësor drejt zhvillimit të lojës dhe produktit tonë. Dhe këto hapa cilësor mund ti hedhim vetëm nëse ne të gjithë bashkë , anëtarët e FSHF i mbështesim ato, lejmë me një anë interesat e vogla, e shohim përpara për të ardhmen e sigurtë të lojës sonë.
Licensimi është e nevojshme rishikimi i sistemit tonë të licensimit, kushteve të parashtruara, kriteret për kategoritë e ndryshme etj. Kjo kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë anëtarëve. Hapi cilësor që kërkojmë të bëjmë së bashku, kalon dhe ndaj vendimeve të rëndesishme, vendimeve që ju duhet të jeni të parët që të mbështesni në të mirë të klubeve dhe shoqerive që ju vet drejtoni.
Nëpërmjet sistemit të licensimit do të realizojmë politikat tona jo vetëm të infrastrukturës por edhe të mënyrës së edukimit sportiv të fëmijëve,
Mbyllja e një syri, nganjëherë edhe e të dyve sic ka ndodhur deri dje nuk duhet të ndodhi më kurrë, Nuk mund të kemi impiante sportive të pa përshtatshme për kategorinë respektive, është detyrë e klubeve dhe pushteteve vendore ti sjellin ato në nivelet e licensimit. Jemi të gatshëm të mbështesim përmirësimin e tyre me te gjitha mënyrat por jo të tolerojme licensimin e tyre.
Organizimi e formalizimi i anëtarëve klube, shoqata e ekipe janë një kollone e rëndësishme për të pasur një futboll cilësor, ne do të mbeshtesim me projekte , asistencë, e ndihma këtë.

Eleminimi i fenomeneve negative
Dhuna është një tjetër fenomen mjaft negativ dhe i cili dëmton rëndë lojën dhe produktin tonë. Është e pamundur të tolerohen fenomene të tilla në një shoqëri të civilizuar. Komisionet disiplinore vazhdimisht kanë marrë masa ndaj këtyre ngjarjeve, por gjithsesi luftimi i këtij fenomeni kerkon një bashkëpunim më të madh nga të gjithë aktorët, duke nisur nga vet Federata e Futbollit, anëtarët tane, klubet, trajnerët, lojtarët, tifozët por mbi të gjitha dhe nga strukturat shtetërore, në identifikimin dhe dënimin e individëve të cilet janë shkaktarë të dhunës në stadiumet tona.
Gjithkush duhet të jetë i vetëdijshëm që ngjarje të tilla nuk bëjnë gjë tjetër vecse na dëmtojnë, dhe largojnë tifozët e vërtetë të futbollit nga shkallët e stadiumeve dhe ja dorëzojne lojën tonë disa individëve dashakeqës.
Fiksimi i rezultateve të ndeshjeve është një tjetër fenomen që sduhet të ekzistojë në botën tonë. Pavarësisht përpjekjeve të mëdhaja që kemi bërë gjatë viteve të fundit, dhe përmirësimit të dukshëm bërë krahasuar me disa vite më parë, ky fenomen vazhdon të ekzistojë.

Fiksimi i rezultateve të ndeshjeve, si dhe cdo fenomem tjetër negativ, nuk mund të luftohet i vetëm. Përpjekjet që FSHF ka bërë, nuk kanë gjetur gjithmonë mbështetjen e nevojshme të institucioneve përgjegjëse. Ne së bashku duhet të vazhdojmë të bashkuar dhe mos të rreshtim duke kërkuar dënimin dhe eleminimin e këtij fenomeni, dhe për këtë do të vazhdojmë vazhdimisht të kërkojmë bashkëpunimin e Prokurorisë.

Ne të gjithë së bashku duhet ti themi STOP këtyre fenomeneve që nuk bëjnë gjë tjetër vecse dëmtojnë lojën e mrekullueshme të futbollit, shkatërrojnë emocionet e tifozëve të vërtetë, por njëkohësisht ju dëmtojnë drejtpërsëdrejti ju të dashur anëtare, si investitore dhe kontribues të vërtetë të futbollit.

Së bashku ne jemi më të fortë. Së bashku ne mund të bëjmë hapin tjetër drejt cilësisë dhe sukseseve të mëtejshme. Të jemi të bashkuar për të ndërtuar një epokë të re në zhvillimin e futbollit në Shqipëri.
Ne jemi të qartë se cfarë duam të bëjmë, ku duam të arrijme e si mund të arrijmë. Keto i kemi hedhur edhe në një dokument strategjia e futbollit Shqiptar deri në vitin 2030.
Ajo cka dua t’ju siguroj është që Presidenti dhe KE e FSHF do të jenë gjithmonë në mbështetje të projekteve të anëtarëve tonë, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin e futbollit, me ndërtimin e të ardhmes por dhe me luftën ndaj fenomeneve që dëmtojnë futbollin.
Duke ju falenderuar edhe njëherë për pjesëmarrjen tuaj, dhe mbështetjen tuaj gjatë vitit që lamë pas, dëshiroj që të uroj që në 2019:
• Më shumë njerëz të luajnë futboll
• Ekipe e klube më të organizuara
• Futboll më të bukur
• Më shumë spektatorë
• Vetëm Fair play
• Rezultate sa më të mira me ekipet kombëtare