ASAMBLEJA E FUTBOLLIT RIZGJEDH Z.ARMAND DUKA PRESIDENT TE FSHF - FSHF

ASAMBLEJA E FUTBOLLIT RIZGJEDH Z.ARMAND DUKA PRESIDENT TE FSHF

Presidenti i FSHF, Armand Duka rizgjidhet në krye të drejtimit të futbollit shqiptar. Komuniteti i futbollit vendosi të rizgjedhë për 4 vitet e ardhëshme kreun aktual me 38 vota të siguruara më raundin e dytë të votimit. Ndërkaq kandidati z.Bashkim Fino arriti të marrë 24 vota në këtë raund. Në përfundim të procesit presidenti Duka u shpreh:
“Jam i lumtur dhe emocionuar, jo për faktin se do jem presidenti, por për besueshmërinë dhe ndjej obligimin e madh se nga sot fillon një gjë akoma më e vështirë për mua. Asambleja u zhvillua brenda standardeve, dëshmon se ne jemi një organizatë me standarde të lartë brenda shoqerisë, ju garantoj të gjithëve se ato që janë diskutuar në këto muaj para zgjedhor do të jenë pjese e diskutimit, do i korrigjojmë dhe do bëjmë më të mirën. Falënderoj shumë kandidatët, të ftuarit. Ju premtoj se përkushtimi im do të jetë akoma më i madh, më ka dhënë shumë mësime kjo asamble. Faleminderit shumë të gjithëve”, përfundoi ai.
Ndërkaq, edhe zv.presidenti i UEFA-s, z.Grigori Surkis u shpreh: “Të nderuar miq, jam shumë i lumtur që marr pjesë në këtë Asamble, e cila ka rezultuar, se familja e futbollit shqiptar vepron në bazë të tolerancës dhe demokracisë. Doja të përgëzoja Zotin Duka për rizgjedhjen e tij në postin e presidentit të FSHF. Për vazhdimësinë e tij me mandatin 4-vjeçar. Jam i bindur që sot nuk pati asnjë kontestim. Këtu u vërtetua që ka solidaritet, ka parim tolerance. Bashkohuni rreth futbollit, futbolli është një dukuri e gëzueshme për të gjithë publikun. Duhet të kujdesemi të gjithë për futbollin. Faleminderit për mikpritjen, dhe ju urojmë fitore në të gjitha garat futbollistike. Faleminderit për vëmendjen”, tha zv.presidenti i UEFA-s, z.Surkis.