Andi Lila dhe Berat Gjimshiti në konferencë për shtyp - FSHF

Andi Lila dhe Berat Gjimshiti në konferencë për shtyp

Dy futbollistët e kombëtares, Andi Lila dhe Berat Gjimshti kanë dalë sot në konferencë për shtyp në orën 13:30 në ambjentet e kompleksit “Tropikal”, në vigjilje të dy ndeshjeve të rradhës. Shqipëria do të përballet në datën 17 nëntor ndaj Skocisë, në Shkodër dhe në datën 20 nëntor ndaj Uellsit në “Elbasan Arena”. Andi Lila në fjalën e tij u shpreh:”Për mua çdo ditë me Kombëtaren është e veçantë. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje të mirë si ndeshja ndaj Izraelit, por të kemi një rezultat më të mirë. Duhet të përmirësohemi sa më shumë, si në stërvitje dhe në ndeshje. Shpresoj që gjithmonë të jemi me ritme të larta. Nuk ka skuadra të lehta dhe të forta. Do të kemi gjithmonë shpirtin luftarak dhe në ndeshje duhet të japim 200%, kjo është e vetmja rrugë. Në qoftë se japim më të mirën, nuk do të kemi probleme. Kombëtarja tani është në një fazë ndërrimi gjeneratash. Të gjithë bashkë duhet të jemi për të arritur objektivin madhor.”
Berat Gjimshiti theksoi: “Nuk e di nëse është momenti më i mirë. Besoj është një moment i bukur, personalisht. Unë gjithmonë vij këtu për të dhënë maksimumin. Nuk ka problem nëse kam shënuar gol apo jo. Me Izraelin e patëm në dorë lojën, bëmë një ndeshje të mirë, nuk e merituam humbjen. Te goli i parë ishim të ngrirë, nuk e pritëm që do ta godiste portieri. Bëmë gabim të gjithë. Ato gjëra ndodhën, të mundohemi të bëjmë më mirë. Nuk e di nëse do të luaj me Skocisë. Nëse jam në fushë, provoj të jap më të mirën. Mbrojtja bëhet me gjithë ekipin, nuk mbrohet vetëm me mbrojtësit. Ato që bëmë ishin gabime personale. Ndaj Izraelit kemi bërë gabime më shumë personale. Na kushtoi. Besoj se me Skocinë do jetë një ndeshje e vështirë. Ata luajtën më mirë atje, ne kemi rastin që të tregojmë vlerat tona. Në fund duhet të arrijmë atë që duam. Nëse luajmë si skuadër, e dimë që jemi të fortë. Mendoj që tifozët na kanë përkrahur gjatë gjithë kohës. Shpresoj që do të jenë në stadium, të na japin forcën e tifozit”.