Analiza / Zyra Rajonale Tiranë, 42 ekipe më shumë se edicionin e kaluar - FSHF

Analiza / Zyra Rajonale Tiranë, 42 ekipe më shumë se edicionin e kaluar

Zyra Rajonale e FSHF-së Tiranës ia doli të shpallej fituese këtë edicion për grupmoshën U-15, U-17 dhe U-19, në kampionatin që zhvillohet ndërmjet zyrave rajonale. Por kjo nuk është pjesa më e rëndësishme e misionit të kësaj zyre, që synon evidentimin e lojtarëve të rinj për futbollin shqiptar.
Edhe pse ky vit, ishte një vit jo i zakonshëm, për shkak të pandemisë së COVID-19, verdiktet e kampionatit për zyrat rajonale u dhanë në fushën e lojës. Ky edicion pati disa risi dhe në të njëjtën kohë edhe problematika. Agim Mone, përgjegjësi për Zyrën Rajonale të Tiranës, duke analizuar ecurinë e këtij sezoni në një intervistë për fshf.org, shpjegon të gjitha arritjet, risitë dhe problematikat e hasura.
Gjithashtu, ai shprehet i kënaqur pasi ka pasur një shtim të numrit të ekipeve, meshkuj dhe femra dhe thekson edhe synimet për edicionin e ardhshëm.

Cilat janë risitë e edicionit që lamë pas në kampionatin rajonal amator të Zonës Rajonale Tiranë?
– Në edicionin që lamë pas, vlen të përmendet fakti se për herë të parë, kampionati i femrave u zhvillua në grup në vete. Kjo ishte një nga risitë kryesore të edicionit, por gjithashtu, ky edicion mund të cilësohet edhe si i suksesshëm pasi kampionatin, për çdo grupmoshë, e mbyllëm në fushë, duke pasur parasysh edhe situatën që përfshiu vendin, për shkak të pandemisë COVID-19.
A mund të na përmendni disa nga problematikat kryesore të këtij edicioni?
– Do të theksoja se kemi një mungesë të theksuar fushash, të cilat na pengojnë në punën tonë për të zhvilluar ndeshjet normalisht.
Sipas jush, a u arritën objektivat, në aspektin e rritjes së pjesëmarrjes? Numri i pjesëmarrësve ka qenë i kënaqshëm krahasuar edhe me edicionin e shkuar?
– Duke e krahasuar me edicionin e kaluar, 2018-2019, janë shtuar 36 ekipe meshkujsh dhe 6 ekipe femrash. Pra kemi një rritje, me 42 ekipe në total, krahasuar me vitin e shkuar. Dhe për këtë edicion, në zyrën rajonale të Tiranës, kemi gjithësej 284 ekipe, duke filluar nga mosha 7-vjeçare deri në moshën 19-vjeçare.
Cilat janë risitë për edicionin e ardhshëm? Cilat janë synimet kryesore?
– Në fakt, kemi disa synime kryesore dhe një ndër to është shtimi i numrit të ekipit të femrave, pasi siç dihet, ky është edhe një ndër prioritetet kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjithashtu, synojmë që të shtojmë numrin e ekipeve të moshave, 7, 9 dhe 11 vjeç. Dhe nga ana tjetër, duhet të kemi më tepër trajnerë të kualifikuar sipas grupmoshave.
Pra, secila grupmoshë të ketë trajnerin e saj. Dhe në fund, synojmë që të heqim pikët për moshat, 7, 9 dhe 11 vjeç, pasi synimi për ne nuk është kush fiton kampionatin, por synojmë që këto fëmijë që stërviten, të arrijnë të formohen dhe të ndjekin rrugën e bukur të futbollit. Për këtë arsye kemi si qëllim edhe zhvillimin e marrëdhënieve mes klubeve, shkollave dhe komunitetit, për t’i afruar ata më shumë me këtë sport.