Analiza/ Zyra Rajonale Durrës, me fokus te rritja e numrit të vajzave në sezonin e ardhshëm - FSHF

Analiza/ Zyra Rajonale Durrës, me fokus te rritja e numrit të vajzave në sezonin e ardhshëm

Zyra Rajonale Durrës numëron 116 ekipe për këtë sezon dhe 1423 fëmijë të cilën janë aktivë në fushat e futbollit. Pavarësisht se një sërë aktivitetesh u pezulluan për shkak të pandemisë, përgjegjësi i kësaj zyre, Arbër Kalemi, në intervistën për fshf.org thotë se është i kënaqur këtë sezon me fitimin e titullit për grupmoshën U-14 në kampionatin e përfaqësuesve rajonale dhe shprehet se objektiv i sezonit të ardhshëm është rritja e numrit të vajzave që luajnë futboll.

-Cilat janë risitë e edicionit që lamë pas në Ligën Amatore të Zyrës Rajonale Durrës?
Tërmeti i 26 nëntorit ishte fatal për qytetin tonë dhe për disa kohë, nuk patëm mundësi të zhvillonim stërvitje dhe ndeshje ashtu sikurse zyrat e tjera. Më pas pandemia botërore e COVID-19 na detyroi të pezullonim një sërë aktivitetesh të cilat i kishim planifikuar, por arritëm të mbyllnim disa prej tyre. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, ne arritëm ta përfundonim kampionatin në fushë. Qëllimi i zhvillimit të këtij kampionati është padyshim evidentimi i futbollistëve të rinj.

-A mund të na përmendni disa nga problematikat kryesore të këtij edicioni?
Mungesa e terreneve sportive është një nga problemet kryesore që kemi si qark dhe këtu flasim për terrene cilësore, ku këta fëmijë dhe të rinj që presupozohen të jenë e ardhmja e futbollit shqiptar, nuk i kryejnë seancat stërvitore siç duhet.

-Sipas jush, a u arritën objektivat, në aspektin e rritjes së pjesëmarrjes? Numri i pjesëmarrësve ka qenë i kënaqshëm krahasuar edhe me edicionin e shkuar?

Këtë edicion patëm një rritje të numrit të ekipeve si dhe të numrit të fëmijëve. Zyra Rajonale e Durrësit numëron për këtë vit 116 ekipe dhe 1423 fëmijë aktivë në futboll. Nga ana tjetër, në kampionatin e përfaqësuesve rajonale, Durrësi u shpall kampion për grupmoshën 14, duke mundur Tiranën me penallti.
Jemi të kënaqur, pasi në këtë kampionat i arritëm të treja finalet, si për grupmoshën 14 në të cilën u shpallëm kampionë, edhe për grupmoshat 13 dhe 15.

-Cilat janë risitë për edicionin e ardhshëm? Cilat janë synimet kryesore?
Së pari, synojmë të rrisim numrin e futbollistëve dhe kryesisht atyre vajza. Duke rritur numrin e futbollistëve, automatikisht do të synojmë edhe rritjen e numrit të ekipeve. Këtë vit kemi 116 ekipe, prej të cilave, 7 janë ekipe vajzash. Duke pasur parasysh edhe prioritetin e FSHF, që është zhvillimi i futbollit të femrave, synojmë që edicionin e ardhshëm ta dyfishojmë këtë numër. Futbolli 5×5 gjithashtu mbetet ndër objektivat tonë kryesorë.