Akademia e Arbitrimit, në tetor fillon edicioni i dytë - FSHF

Akademia e Arbitrimit, në tetor fillon edicioni i dytë

Akademia e Arbitrimit, një nga prioritetet e FSHF-së, do të fillojë edicionin e dytë në datën 2 tetor bën të ditur shefi i Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci.

Pritshmëritë e kësaj akademie janë që pjesëmarrësit në kurs të marrin njohuritë bazë të Rregullave të Lojës, të përgatiten fizikisht dhe të kenë të gjitha njohuritë e nevojshme për një arbitër të ri. Kursantët në fund të trajnimit do të pajisen me diplomën “Arbitër i Kategorisë së Tretë”. Deri në këtë momente janë regjistruar 55 të rinj dhe të reja, një shifër mjaft e kënaqshme, me prurjet kryesore nga qytete si Tirana, Elbasani, Shkodra dhe Fieri.

Kriteret e përzgjedhjes së aplikantëve, janë mosha 14 – 22 vjeç, arsimi i lartë ose në vazhdim. Sipas orientimeve nga FIFA dhe UEFA, e për vetë specifikat e këtij profesioni, mosha ideale për ta filluar është 15-16 vjec, të cilët vijojnë paralel me moshat e reja në garat sportive. Sigurisht ecin sëbashku edhe pasi janë bërë profesionist në fushën e blertë. Një element tjetër i nevojshëm për këtë profesion është dhe arsimimi e gjuha e huaj. Numri i vajzave të regjistruara deri më tani është 6, me fillimin e vitit të ri shkollor, pritet të ketë ende regjistrime, të cilat vazhdojnë të jenë të hapura.

Promovimi i kësaj akademie dhe informimi i të rinjve ka filluar prej muajsh nga Sektori i Arbitrimit në disa akademi dhe shkolla sportive duke filluar nga: Tirana, Durrësi, Lezha, Shkodra, Fieri, Vlora, Korça, Pogradeci, Bilishti, Elbasani etj.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë përmes e-mailit në adresën: akademia@fshf.al.